Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti ka folur për Demarkacionin duke thënë se kjo do të jetë një çështje e vështirë për legjislaturën e re, si dhe ka thënë se nuk frikësohet nga Gjykata Speciale.
“Çështja më e vështirë në legjislaturën që po hyjmë mund të jetë demarkacioni, pastaj asociacioni e çështja e gjykatës speciale mund të hapin probleme, nuk mund të paragjykoj si do të ndodhin ngjarjet”, tha Haliti në Ballë për Ballë të Klan Kosovës.
Haliti ka folur edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se kushdo që ka bërë vepra që bien ndesh me ligjin, duhet të japë llogari.
“E kemi miratuar në Kuvend, kemi ndryshuar edhe Kushtetutën për ta miratuar Gjykatën Speciale, mund të ketë iniciativa për të rishqyrtuar diçka, por mendoj që është e pamundur për ta ndryshuar gjendjen”, tha Haliti.
“Nëse dikush ka bërë vepra që janë të dënueshme me ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, është krejtësisht normale që të japë llogari”.
“Me rëndësi që akuzat për transplantim e shitje organesh, për krime që unë i quaj makabre, të stisura nga agjenturat anti-shqiptare, qoftë nga mediumet e paguara nga vendet armike të Kosovës, nuk besoj se ka pasur rast të tillë dhe nuk mund të argumentohet”.
Haliti tha se nuk është i frikësuar nga gjykata speciale pasi që e di se çfarë ka bërë.
“E di se çfarë kam bërë, nuk i frikësohem gjykatës, as gjykatave atje e as këtu”.
“Çdo politikan, nëse mendon të jetë përfaqësues i popullit, A-ja e veprimit është t’i respektojë organet e drejtësisë dhe të mos përzihet në to”.