Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka komentuar deklaratat e dikurshme të tashmë Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, lidhur me ish-krerët e UÇK-së.
Gërvalla kishte deklaruar se kishte dëshmi kundër krerëve të UÇK-së dhe se ato do t’i dorëzonte në Gjykatën Speciale.
Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duhet ta ketë parasysh që do të ketë përballje të vazhdueshme me gabimet e veta.
“Në qoftë se ke deklaruar se e di që figurat qendrore të UÇK-së janë kështu dhe ashtu dhe ke argumente, unë mendoj që duhet me shku edhe atje (Hagë), në qoftë se nuk ke pas fakte dhe ke gënjyer opinionin atëherë t’i duhet të kërkosh falje”, ka thënë Haliti në RTV21.
Haliti thotë se në kohën kur Gërvalla bënte deklarata të tilla ishte shtetase gjermane dhe s’mbante poste qeveritare. Por sot, sipas tij, situata ndryshon tashmë, pasi ajo është ministre.
“Tani ajo është në politikë, është ministre e Punëve të Jashtme dhe duhet ta ketë parasysh që do të ketë përballje të vazhdueshme me gabimet e veta. Unë mendoj se nuk mund të quhet se s’ka qenë gabim një akuzë e tillë për njerëz me emra dhe me mbiemra. Nëse ke argumente, unë nuk jam kundër askujt, qofshin ata edhe bashkëpunues në Gjykatën e Hagës që e tregojnë të vërtetën. Por të akuzosh pa argumente…”, tha Haliti.
Halit folur për përplasjen që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve të PDK-së dhe deputetëve dhe ministrave të VV-së.
“Filloi pothuajse për çështje të së kaluarës dhe përplasjet ishin me akuza e kundërakuza. Ato që ndodhën ishin më shumë përplasje, reagim edhe i PDK-së, por ishte edhe provokim ndaj PDK-së që u bë në sallë”, ka thënë Haliti.