Site icon Telegrafi

Haliti: Marrëveshjen për murin s’e kam ditur as unë, as ndonjë deputet tjetër

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se nuk ka qenë në dijeni të ndonjë marrëveshjeje paraprake bilaterale për murin në Mitrovicë.

Në një deklarim për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, Haliti ka thënë se nuk e beson të ketë qenë në dijeni për këtë as ndonjë deputet tjetër.

“As tani nuk jam i sigurt. Nuk e di se si është marrëveshja. Nuk e besoj se e ka ditur asnjë deputet atë detaj. Sidoqoftë ato janë marrëveshje. Nëse janë marrëveshje, ato i kanë nënshkru”, tha Haliti, transmeton Telegrafi.

Duke folur në cilësinë e njeriut numër dy të Kuvendit të Kosovës, Haliti ka ftuar zërat e ndryshëm të shoqërisë dhe organizatave që kanë dalë me qëndrime rreth murit, që t’u besojnë institucioneve të Republikës së Kosovës, Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit, në tejkalimin e kësaj çështjeje deri tek zgjidhja në rrugë zyrtare.

“Në qoftë se ka pasur një marrëveshje dhe nuk prishet ajo marrëveshje, atëherë gjithçka është në rregull. Të dy plaët kur bien dakord në Bruksel, atëherë ato janë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk është lehtë sot të thuash po, e nesër jo”, ka thënë Haliti, për Radio Dukagjinin. /Telegrafi/

Exit mobile version