Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka kërkuar që Kuvendi të nxjerr një ligj për mbrojtjen e ambientit dhe largimin e çative të shtëpive të cilat janë të mbuluara me lëndën e azbestit.
Haliti ka thënë se kjo lëndë është ndër shkaktarët kryesorë të tumoreve dhe kancerit në Kosovë.
“Jemi në proces të integrimit të BE-së, dhe qeveria duhet të ketë një qasje tjetër ndaj ambientit. Një pjesë e madhe e ndërtesave të vjetra në qytetet e Kosovës çatiat i kanë të mbuluara me lëndë azbesti. Në krejt vendet e BE-së çdo ndërtesë që ka pas lëndë të tillë është shkarkuar në përgjithësi “, ka thënë Haliti.
Ai ka theksuar se azbesti është një lëndë që sjell sëmundjet në Kosovë dhe kudo që është i përdorur.
“Duhet të nxirret një ligj sa i përket kësaj lënde e cila është ndër shkaktarët e tumoreve dhe kancerit në Kosovë. Një ligj që mundëson heqjen në mënyrën e duhur e jo primitive siç e bëjmë ne nganjëherë, me rregulla të BE të hiqen mbulesat e çative të shtëpive të cilat janë të mbuluara me këtë lëndë”, u shpreh Haliti.
Haliti theksoi se Ministria e Ambientit dhe Ministria e Financave dhe Ministria e Integrimit Evropian këtë çështje ta shqyrtojnë dhe ta miratojmë një ligj që i çliron qytetarët dhe e çliron ambientin nga kjo murtajë. /Telegrafi/