Vitia si komuna me numrin më të madh të personave të prekur me coronavirus, po ballafaqohet me mungesë të maskave, dorezave dhe ushqimeve.
Në këtë komunë deri në këto momente janë shtatë persona të infektuar nga kjo pandemi, e cila deri tash ka prekur gjithsej 20 persona në gjithë Kosovën.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti deklaroi se nuk ka ndonjë rast të ri i cili dyshohet se është i prekur nga COVID19.
Ai tha se kanë edhe mungesë të furnizimit me ushqim për familje me gjendje më të rëndë sociale.
Haliti theksoi se masat që i kanë ndërmarrë po i respektojnë banorët e Vitisë.
“Brenda 24 orëve ka qenë qetë nuk ka asnjë rast, dashtë Zoti mos me u përsërit asnjë, për mjete medicinale jemi keq, për pajisje mbrojtëse dhe për ushqim. Për shkak se jemi në karantinë qe një javë. Përndryshe situata është e qetë ma sat i kemi ndërmarrë dhe janë duke i respektuar qytetarët sidomos ata që kanë pasur kontakte me të prekurit”, thotë Haliti për KP.
Kreu i komunës së Vitisë theksoi se ka mungesë të maskave, dorezave përkundër që vazhdimisht kanë kërkuar ndihmë nga institucionet qendrore.
“Pajisjet mbrojtëse rroba mbrojtëse, maska, doreza, ushqime, pajisje medicinale edhe artikuj ushqimor, për shkak se ka një javë që qytetarët janë të pa furnizuar. Po mendoj për komponentët social jo për ata që kanë të mira materiale dhe kanë mundësi me u furnizua…Vazhdimisht jemi duke kërkuar, jemi vonuar… nuk kemi rroba për shëndetësi, neve na nevojitet vërtet një furnizim edhe është dashur me u bë krejt tjetër për komunat që jemi të prekura”, tha ai.
Ai shprehet se kësaj komune nuk i nevojitet vullneti vetëm përmes deklaratave, derisa asgjë nuk po ndërmerret për një furnizim më të mirë sidomos për komunat që janë më të prekura.
“Mua nuk po më duhet vullnet deklarativ, po më duhet furnizim asgjë më shumë e asgjë më pak ka vullnet, ministri dje më ka thirr më kanë thënë që do furnizojmë sot pas dite, ndërsa zyrtarja më thërret pas një ore më thotë gjatë javës dhe kjo vetëm po shtyhet. Nuk e di a janë të koordinuar ata por me rëndësi është neve me na ardhur ndihma që ne me ia dal situatën me e bajtë në kontroll”, theksoi Haliti.
Komuna e Vitisë është komuna e parë e prekur me pandeminë COVID19. Një banor 77 vjeçar nga fshati Stubëll, i ardhur nga Italia ishte i prekur, prej të cilit më pas u infektuan edhe familjarët tjerë. Numër ky i cili ka arritur në 7.