Telegrafi

Haliti: Demonstratat e ’81-së, kthesë vendimtare për pavarësinë

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka shkruar të premten për demonstratat e 11 marsit të 1981, duke thënë se pavarësia dhe shteti i Kosovës, pa pranverën studentore të vitit ’81, do të ishin thjesht një synim, aspiratë dhe ideal i papërmbushur.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

“Demonstratat e 11 Marsit ’81, të filluara në Prishtinë nga rinia studentore dhe të përhapura shumë shpejt në pjesën dërmuese të qyteteve tjera, përgjithësisht demonstratat e pranverës së këtij viti në Kosovë, përkundër goditjes dhe shtypjes që ushtroi regjimi i kohës, shënojnë kthesën vendimtare të Lëvizjes sonë Kombëtare, e cila, me përmasat e reja që mori, tejet më të avancuara, si në shtrirje ashtu dhe në organizim, shënon hapin vendimtar në drejtim të daljes në skenë të UÇK-së. Çlirimi dhe liria, pavarësia dhe shteti i Kosovës, pa Pranverën Studentore të vitit ’81, do të ishin thjesht një synim, aspiratë, pse jo- mund të themi edhe ideal, i pa përmbushur ende edhe sot e kësaj dite. Për përpjekjet, sakrificat dhe idealet që kanë bartur më vete, demonstratat e vitit 1981 në Kosovë meritojnë kujtimin e pashlyeshëm, respektin dhe vlerësimin e gjithë Kombit Shqiptar. Lavdi të gjithë dëshmorëve të vitit ’81!”, shkruan Haliti. /Telegrafi/