Site icon Telegrafi

Halimi: Subjekte të ndryshme politike po bëjnë presion dhe po njollosin punën e Sekretariatit të KQZ-së

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, ka reaguar, siç thotë ai, ndaj sulmeve që po i bëhen këtij organi të KQZ-së nga subjekte të ndryshme politike që ishin pjesëmarrëse në zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.

Në reagimin e kryeshefit ekzekutiv të Sekretariatit të KQZ-së thuhet se “vlerësimi dhe cilësimi publik i punës sonë, që po bëhet nga akterë e formacione të caktuara në opinonin publik, po njollosë pa të drejtë Sekretariatin e KQZ-së”.

“Një formë e tillë e njollosjes dhe e apostrofimit të emrave të përveçëm dhe ndërlidhjes së tyre me procese të caktuara që janë përgjegjësi ligjore e stafit profesional të Sekretariatit të KQZ-së, ka marrë trajtën e presionit publik të pamerituar për stafin profesional të Sekretariatit”, thuhet në reagimin e kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së.

Reagimi i plotë:

Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Reagim publik përkitazi me akuzat dhe njollosjen e punës sonë!

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një sërë sulmesh verbale publike nga subjekte politike te certifikuara për zgjedhje, në drejtim të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Vlerësimi dhe cilësimi publik i punës sonë, që po bëhet nga akterë e formacione të caktuara në opinonin publik, po njollosë pa të drejtë Sekretariatin e KQZ-së. Një formë e tillë e njollosjes dhe e apostrofimit të emrave të përveçëm dhe ndërlidhjes së tyre me procese të caktuara që janë përgjegjësi ligjore e stafit profesional të Sekretariatit të KQZ-së, ka marrë trajtën e presionit publik të pamerituar për stafin profesional të Sekretariatit.

Pamundësia e marrjes së vendimeve të nevojshme përkitazi me procesin zgjedhor nga organet që janë kompetente për një gjë të tillë- dhe në mungesë të një vendimmarrjeje të tillë si dhe dështimit për të shtyrë në mënyrë të sforcuar, joskrupuloze dhe me presion të madh për vendimmarrje dhe procedim në nivel të ekzekutivit-, nuk do të duhej të përbënte arsye për sulm e njollosje ndaj trupës profesionale-teknike, siç është Sekretariati i KQZ-së, i cili është i detyruar të zbatojë vendimet e KQZ-së, ligjin dhe vendimet e organeve të tjera kompetente dhe jo t’i interpretojë ato. 

Pra, Sekretariati obligohet që të veprojë bazuar në ligj dhe jo sipas tekeve e agjendave të akëcilit akter, që ka fuqinë zhurmuese e linquese në opinon publik, pavarësisht se çfarë roli e funksioni  aktualisht ka dhe pavarësisht se nga çfarë interesi aktualisht udhëhiqet dhe mbron.

Për secilin nga këto subjekte dhe për secilin dimension të punës sonë profesionale, ka kanale përmes të cilave mund të adresohen përgjegjësitë e secilit.

 Rruga e sulmit verbal publik dhe etiketimi i stafit profesional të Sekretariatit, duke e paraqitur atë si trupë që vepron në mënyrë arbitrare dhe që nëpërkëmb vullnetin e qytetarëve, është rrugë e atyre që frustrohen kur në forume vendimmarrëse adekuate (vendimet e të cilave do të ishin obligative për Sekretariatin) nuk mund të shtyjnë agjenda të caktuara. Por këto rrugë natyrshëm që janë të destinuara të dështojnë për shkak se Sekretariati është trupë profesionale ekzekutive me integritet të lartë, të cilin e ka dëshmuar në praktikë tash e sa kohë.

Pozicioni i Sekretariatit, si trupë profesionale-teknike, është shumë i qartë: nuk bën interpretim të akteve ligjore, vendimeve, rregulloreve etj, por vetëm i zbaton fjalë për fjalë dhe me përpikëri ato.

Edhe kur rregullativa na obligon që të përfshijmë kontigjent të caktuar të votave (e disa subjekteve u konvenon rezultati i tyre e disa të tjerave jo), edhe atëherë kur një vendim na obligon që të përfshijmë një kategori të caktuar të votave (kur disa subjekteve ju konvenon e disave nuk ju konvenon apo ju konvenon pjesërisht), edhe atëherë kur detyrohemi të rinumërojmë kuti të caktuara (kur disave ju konvenon e disave jo) etj. këtë e bëjmë bazuar në ligj. Ne gjithnjë kemi ndjekur dhe ndjekim trajektoren e profesionalizmit, ligjit dhe rregullativës tjetër që na obligon dhe asnjëherë nuk lëkundemi nga presioni i agjendave, çfarëdoqofshin ato, ose nga interesat meskine të momentit që hisedarët e procesit zgjedhor, varësisht nga pozicioni aktual, mund të kenë.

Një ndjekje e një trajektoreje të tillë ligjore dhe profesionalisht të bazuar, ka mundësuar që vlerësimet për administrimin e procesit zgjedhor nga akterët e brendshëm dhe të jashtëm, që nga viti 2013 e këndej, të shënojnë trend sinjifikant pozitiv në administrim nga procesi në proces, me gjithë vështirësitë me të cilat jemi përballur në vijimësi, si konteksti politik, etnik dhe tjera.

Një sulm publik ndaj një trupe profesionale, e cila zbaton vetëm ligjin, rregulloret dhe vendimet e organeve kompetente dhe nuk i nënshtrohet tekeve dhe interesave meskine të asnjë grupi formal e joformal, përveç se mund të rrezikojë sigurinë personale të zyrtarëve që janë pjesë e saj, helmon opinonin publik dhe vë në pikëpyetje kredibilitetin e procesit zgjedhor, i cili, sikundër u tha, që nga viti 2013 ka marrë vlerësime gjithnjë pozitive në administrim të tij, qoftë në raporte vendore qoftë në ato ndërkombëtare.

Pakënaqësitë që palët mund të kenë me procesin zgjedhor, me një kontingjent të votave apo me një tjetër, me një procedurë të zbatuar në këtë apo atë mënyrë, me ndonjë dimension të administrimit, apo me ndonjë padrejtësi eventuale që konsiderojnë se iu është bërë në proces, ligji ka paraparë instancat në të cilat palët mund të adresojnë kërkesat dhe pakënaqësitë e veta. Vendimet e instancave vendimmarrëse, qoftë administrative apo gjyqësore, jemi të detyruar t’i zbatojmë në tërësi.

Derisa demokracia në një mënyrë është edhe ‘tërësi e procedurave për ta mbrojtur lirinë dhe të drejtat’, atëherë formacionet politike, të cilat garojnë për pushtet, duhet të ndjekin dhe respektojnë me përpikëri procedurat ashtu që të mbrojnë lirinë tonë profesionale. Në këtë mënyrë ato realizojnë edhe të drejtat e tyre. Anashkalimi i procedurave dhe ndjekja e “rrugës së shkurtër” të sulmeve verbale publike, as nuk na e mbron lirinë dhe as nuk ua siguron realizimin e të drejtave të supozuara. Për më keq, na e shpërfaqë papjekurinë tonë si shoqëri në pranimin e demokracisë si mënyrë e veprimit politik dhe angazhimit shoqëror.

Duke e ditur se rruga jonë profesionale dhe e zbatimit të ligjit do të mund të ndeshet edhe në të ardhmen sa me një subjekt e sa me një subjekt tjetër, të përfshirë ose jo në proces zgjedhor, e sigurojmë opinionin publik se Sekretariati do të vazhdojë që me profesionalizëm t’i kryej detyrat e veta, për të cilat obligohet me ligj, rregullore e vendime, dhe do të vazhdojë të mbajë ekuidistancë nga secila palë e përfshirë në procesin zgjedhor. Kjo është e vetmja rrugë që garanton proces zgjedhor me integritet, ndjekjen e së cilës e kemi obligim dhe me të njëherazi i shërbejmë interesit të gjithë shoqërisë sonë.

Me respekt,

Enis Halimi,  Kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit /Telegrafi/

Exit mobile version