Një incident i paprecedentë ka ndodhur me faqen zyrtare të Lojërave Olimpike, e cila është bërë objekt i një sulmi kibernetik.
Në këtë rast, hakerët shqiptarë duket se kanë marrë përgjegjësinë për të shfaqur portretin e Gjestit, konkurrentit të njohur të Big Brother VIP Albania, bashkë me hashtag-un “#megjestin”.
Ky veprim ka befasuar të gjithë, duke përfshirë publikun shqiptar dhe ndërkombëtar. Ndërsa Gjesti ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave rozë këto ditë, askush nuk priste që imazhi i tij të shfaqej në një platformë kaq prestigjioze dhe globale si ajo e Lojërave Olimpike.
Sipas raportimeve, hakimi ka ekspozuar dobësitë në menaxhimin e sigurisë së faqes, duke treguar se domeni nuk ishte i mbrojtur mjaftueshëm për të shmangur sulmet e tilla. Ky akt ka ngritur pikëpyetje mbi nivelin e sigurisë së platformave të mëdha dhe mbi përgjegjësinë e menaxherëve të tyre.
Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale, me shumë përdorues që e kanë përkrahur këtë akt si një mënyrë për të promovuar Gjestin, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar si të papërshtatshëm për një platformë të tillë ndërkombëtare.
Produksioni i Big Brother VIP Albania ende nuk ka komentuar mbi këtë zhvillim, ndërkohë që Lojërat Olimpike kanë marrë masa për ta rikthyer faqen e tyre në gjendjen normale dhe e kanë fshirë tashmë postimin..
Ndërkohë, hashtag-u “#megjestin” vazhdon të jetë viral, duke e bërë këtë ngjarje një ndër temat më të diskutuara të momentit. /Telegrafi/