Punonjësit janë tronditur kur ekranet televizive në një ndërtesë qeveritare treguan një video të presidentit amerikan, Donald Trump, duke puthur këmbët e Elon Musk.
Videoja, e bërë me AI, u titullua “Rroftë mbreti i vërtetë”, në një referencë ndaj një postimi të fundit të Shtëpisë së Bardhë, që tregonte një version të AI të Trumpit me një kurorë, me titullin “Rroftë Mbreti”.
Bëhet e ditur se videoja e çuditshme është transmetuar në zyrën e Departamentit të Strehimit dhe Zhvillimit Urban dhe është shpërndarë gjerësisht nga punonjësit në rrjete sociale, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Një zëdhënës i departamentit tha: “Një tjetër humbje e dollarëve dhe burimeve të taksapaguesve. Do të merren masat e duhura për të gjithë të përfshirët.”
Masa vjen disa ditë pasi stafit të qeverisë amerikane iu kërkua raport javor ose rrezikojnë të pushohen nga puna.
Punëtorët federalë morën një email me tre rreshta duke kërkuar pesë pika që përmbledhnin arritjet e tyre gjatë shtatë ditëve të fundit.
Në një postim në faqen e tij të rrjeteve sociale X, Musk shkroi: “Dështimi për t’u përgjigjur do të merret si dorëheqje”.
Dhe kjo është faza e fundit në përpjekjet e miliarderit për të tkurrur në mënyrë drastike fuqinë punëtore të qeverisë përmes një kursi shkarkimesh masive.
Ndryshe, në pak më shumë se një muaj që kur Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, ekipi i tij ka bërë shkurtime gjithëpërfshirëse në disa organe kyçe.
Këtë fundjavë, Departamenti i Mbrojtjes njoftoi se do të pushonte nga puna mijëra punëtorë pasi kërkon të reduktojë fuqinë e tij civile të punës deri në 8%. /Telegrafi/