Site icon Telegrafi

“Hakmarrja” merr drejtësinë (Video)

Pas 21 viteve gjyqësore, me kthime dhe rikthime në të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda mbyll me pafajësi dosjen e të ashtuquajturës “Hakmarrja për drejtësi”.

Gjykata deklaroi të pafajshëm të 10 të akuzuarit e “Hakmarrjes për drejtësi”. Me përjashtim të Dritan Hatës dhe Gentian Cakës që ndodhen në burg, shumica e të tjerëve, mes tyre Altin Arapi e Orik Shyti, e kanë ndjekur procesin e dy dekadave me statusin e azilantëve politikë, jashtë Shqipërisë.

Gjykata deklaroi se përveç shpalljes së pafajësisë, të pandehurve t’u hiqet edhe masa e sigurisë. Por, ndërsa ende nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës së Apelit, Top Channel mësoi se 5 gjyqtarët janë bazuar tek vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila një vit më parë i konsideroi provat e mbledhura kundër 10 të akuzuarve si të manipuluara.

Bëhet fjalë për kontrolle banesash, marrje e dëshmisë dhe dokumentash të sekuestruara nga policia atëherë kur nisi procesi ndaj të akuzuarve, mosha mesatare e të cilëve ishte asokohe 25 vjeç.

Gjykata e Lartë e konsideroi fals një dokument në të cilin shfaqej platforma e “Hakmarrjes për drejtësi”, çka praktikisht kupton se gjyqësisht ajo që është lakuar si organizata “Hakmarrja për drejtësi”, nuk ka ekzistuar. Argumenti kryesor për këtë është konstatimi i ekspertëve grafikë që çmojnë se shkrimi i Altin Arapit ishte falsifikuar dhe platforma nuk ishte shkruar prej të akuzuarit.

Në vendim, Gjykata e Apelit vlerëson, sikurse Gjykata e Lartë, se janë përdorur në gjykime prova të deklaruara të pavlefshme, duke rënduar të gjykuarit. 10 të akuzuarit u gjykuan për ngjarjet që tronditën vendin nga viti 1994 deri në vitin 1996, për akuza të rënda që nga vrasja e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi, disa vjedhje të armatosura, mes tyre e ish-firmës piramidale “Gjallica” dhe “Vefa” apo edhe pengmarrja e një fëmije në Vlorë.

Ky vendim konsiderohet i formës së prerë, ndërkohë që gjatë gjykimit edhe përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar kthimin e akteve.

Gjykata shpalli të pafajshëm këta persona: Orik Shyti, Altin Arapi, Gentian Caka, Nikolin Novruzaj, Roland Shyti, Leart Shyti, Kreshnik Spahiu, Pasho Novruzaj, Gëzim Gjoni dhe Dritan Hate. /tch/

Exit mobile version