Në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë rritur ndjeshëm pas demonstrimeve ushtarake nga të dyja palët, emaile dhe të dhëna të tjera të Vladislav Surkov, një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Vladimir Putin janë hakeruar.
Më shumë se 1 gigabajt materiale dëshmojnë lidhjen e Moskës me separatistët ukrainas. Megjithëse Kremlini ka mohuar se ka pasur rol në konfliktin ushtarak për ndarjen e Krimesë, emailet tregojnë në hollësi se si Rusia ka kontrolluar nga afër lëvizjet e separatistëve.
Pas këtij sulmi kibernetik përflitet të jetë një grup piratësh ukrainas, i quajtur Cyber Hunta, por rusët dyshojnë se pas këtij sulmi është Uashingtoni, në shenjë kundërpërgjigje për hakerimin e kompjuterave te Kongresit Kombëtar të Partisë Demokratike në SHBA. Asokohe zv/Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se SHBA-të do të hakmerren ndaj Rusisë për sulmet kibernetike.
Ky akt vjen në kulmin e tensioneve mes dy superfuqive, në atë që konsiderohet si lufta e dytë e ftohtë apo fillimi i një lufte të tretë botërore.
Por Presidenti Putin, për sesionin e përvitshëm të sfidave globale të mbajtur në Soçi, tha se kërcënimi rus për një luftë të re është imagjinar, transmeton tvklan.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për BBC sqaroi se aleanca ushtarake nuk po kërkon një përballje me Rusinë e aq më pak një tjetër “Luftë të Ftohtë”.
Dërgimi i batalioneve në Europën lindore bëhet për të parandaluar e jo për të provokuar një konflikt, tha Stoltenberg.