Site icon Telegrafi

Hakmarrja e historisë

Nga: Frank Furedi, studiues dhe profesor i Sociologjisë në Universitetin e Kentit / spiked-online.com
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Gjithçka ndodhi shumë, shumë shpejt. Para më shumë se dy javëve, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, shpejtë e shumë e qartë doli se fundi i Luftës së Ftohtë nuk e ka shënuar fillimin e epokës së paqes të përhershme.

Për goxha do kohë e kemi mashtruar veten se kjo është epokë e re; se e kaluara mund të lihet prapa. Por, jo më. Ngjarjet tragjike në Ukrainë përkujtojnë se historia nuk mund të zhbëhet dhe se herët a vonë duhet të pajtohemi me të vërtetën e saj të pashmangshme.

Në vitin 2014, pasi e botova librin “Lufta e Parë Botërore: Fundi ende nuk shihet”, shumëkush ironizonte me qëndrim tim se ky konflikt i përgjakshëm ka ende ndikim në jetën tonë. Ata merreshin me fundin e Luftës së Ftohtë – duke e paraqitur si fundin e historisë. Deri tash, kjo ka qenë bindja e shumicës. Siç ka thënë dikur historiani Mark Mazower, rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1989 i dha fund “epokës së rivaliteteve ideologjike që nisën më 1917” (1).

Kjo bindje se ka marrë fund historia e mbushur me konflikte kombëtare dhe me luftëra politike, reflektohet përmes përhapjes së parashtesës “post-“. Krahas termave si post-industrial dhe post-moderne, tani i kemi ato post-historike, post-nacionale dhe post-kufitare. Kjo parashtesë i shërben një qëllimi të ndjeshëm – e ndan të tashmen nga historia. Siç ka thënë profesori i letërsisë, Brook Thomas, “post-” e nënkupton “epokën ku gjithçka tashmë përgjithmonë ka ndodhur” (2).

Që nga pandemia e Kovidit, kjo “post-“ bindja u shpreh me të madhe përmes idesë së Normalitetit të Ri. Për avokatët e Normalitetit të Ri, Kovidi e shënoi fillimin e një epoke krejt tjetër. Siç thotë Jennifer Ashton, autorja e “Normalitetit të Ri” (2021), “ne kurrë më nuk do të jemi të njëjtët”. Ajo mendon se tashmë i ka ardhur fundi asaj jete që e kemi njohur në të kaluarën. Një pikëpamje e tillë e projekton ndjesinë e përfundimit dhe të cakut final të historisë. Mënyrat e vjetra janë të tepërta në botën e re të Normalitetit të Ri.

Megjithatë – siç po shihet ashiqare sot – nuk është larguar normaliteti i vjetër. E tashmja nuk është e lirë nga e kaluara. Dhe, historia nuk ka mbaruar. Ai lloji i luftës që shumë evropianë besonin se nuk do të shkatërrojë më kontinentin e tyre, befas shpërtheu si dënim.

Pushtimin e Ukrainës nga Rusia, disa e interpretuan si fundin e “rendit të vjetër botëror”. Por, kjo pikëpamje e pasqyron iluzionin për stabilitetin e epokës globaliste të post-Luftës së Ftohtë. Lufta në Ukrainë po tregon se kurrë nuk kemi marrë fund me të kaluarën. Ende janë në kërkim të përgjigjeve ato pyetjet e rënda që u shtruan dhe u shprehën sërish përgjatë një sërë konfliktesh të dhunshme. Siç po na bënë me dije lufta sot, historia ka fuqinë të na kujtojë se, nëse nuk e marrim seriozisht, njerëzimi do të jetë në telashe të rënda.

Nuk erdhën nga asgjëja lufta në Ukrainë dhe konfuzioni në lidhje me çështjet gjeopolitike që ka përfshirë sot botën perëndimore. Ato janë të lidhura me forcat e historisë që kanë vërshuan gjatë dekadave të para të shekullit XX. Ato na tregojnë se ai zinxhiri i ngjarjeve që përcolli Luftën e Parë Botërore, po vazhdon ta dëmtojë jetën e shekullit XXI.

Është me rëndësi të përkujtojmë se luftërat e mëdha të shekullit XX nuk u motivuan vetëm prej brengave gjeopolitike; se bazoheshin gjithashtu te çështjet dhe angazhimet e brendshme ideologjike të kombeve (3). Shumë nga ata që morën pjesë në luftëra, janë motivuar nga vlerat dhe nga idealizmi. E, ishte pikërisht mosrealizimi i këtyre idealeve që e intensifikoi llojin e çorientimit moral, intelektual e politik që po e përshkon sot shoqërinë.

Pikëpamja morale dhe politike e botës perëndimore është formësuar krejtësisht nga konfliktet gjeopolitike të shekullit XX, dhe atë në tri mënyra kryesore. Së pari, rezultati i Luftës së Dytë Botërore e shkatërroi autoritetin moral të së djathtës. Tmerret e fashizmit e detyruan të djathtën të mbrohej, duke e minuar seriozisht besueshmërinë e saj intelektuale dhe politike. Së dyti, idealet dhe praktikat e së majtës u diskredituan gjatë Luftës së Ftohtë, kryesisht për shkak të afërsisë me stalinizmin. Si rezultat, që nga vitet 1980 ata që e perceptojnë veten si të djathtë ose të majtë shpesh kanë luftuar për t’ua dhënë kuptimin pikëpamjeve përkatëse politike. Asnjëra palë nuk ka arritur ta rikuperojë atë idealizmin dhe bindjen intelektuale që kanë motivuar paraardhësit e tyre politikë.

Ky erozion i ideologjive të së majtës dhe të djathtës është diskutuar gjerësisht nga ithtarët e tezës së “fundit të ideologjisë”. Por, këto komente e shpërfillin mënyrën e tretë me të cilën konfliktet e mëdha të shekullit XX ndikojnë në ditët e sotme – domethënë, përmes luftës kulturore që është ndezur për më shumë se një shekull.

Kjo luftë kulturore në thelb ka të bëjë me marrëdhënien e shoqërisë me të kaluarën. Në fakt, lufta po zhvillohet kundër trashëgimisë të së kaluarës. Me kalimin e kohës, kjo luftë e zvogëloi në masë kapacitetin e kulturës perëndimore për të menduar historikisht, thuajse historia mund të anashkalohet ose të shtypet. Dhe, kjo i shtyri  shumë ekspertë e analistë të vinin në përfundimin se bota perëndimore pak a shumë është shndërruar në një zonë pa luftë. Konfliktet e përgjakshme vazhduan, natyrisht, por në vendet si Siria ose Afganistani. Dukej se Perëndimi i kishte lënë të gjitha këto prapa vetes.

Por, jo më. Kjo fantazi e një bote post-historike doli mizorisht në pah prej ngjarjeve në Ukrainë.

Kjo luftë kulturore – kjo kthesë kundër trashëgimisë të së kaluarës – buronte në frymën e çorientimit moral që mbizotëroi në fund të Luftës së Parë Botërore. Epoka e mëvonshme ndërmjet dy luftërave ishte plot me raste të tragjedisë së rënies evropiane. Siç theksoi sociologu Louis Wirth në vitin 1936, është një “literaturë e gjerë” që flet për “fundin”, “krizën”, “kalbjen” ose “vdekjen” e qytetërimit perëndimor. Elitat evropiane u prekën aq shumë nga kjo ndjesi e rënies, saqë shumë nga ta i braktisën vlerat me të cilat ishin mësuar.

Merreni si shembull Britaninë. Elita e saj në pushtet i braktisi me sukses angazhimet ndaj asaj që deri atëherë merrej si mision perandorak. Që nga ajo kohë e më tutje, ishte i diskredituar autoriteti i Britanisë si kreu i një Perandorie dashamirëse. U bë gjithnjë e më në modë që anëtarët e asaj elite, dhe veçanërisht inteligjenca, të mburreshin me parëndësinë e së kaluarës dhe të vlerave të Britanisë. Kjo në mënyrë të habitshme u shpreh nga Lord Eustace Perry, i cili më 1934 theksoi se nuk është “asnjë ide e natyrshme tek e cila ne besojmë “. Ai shtoi se “e kemi humbur vetëbesimin që i dallonte gjyshërit tanë viktorianë dhe që ende i dallon bashkëkohësit tanë amerikanë”.

Në vitin 1930, Winston Churchill gjithashtu reflektoi për të tashmen që ai u mundua ta pranonte. “Shpesh pyes veten nëse ndonjë brez tjetër ka parë revolucione kaq befasuese të të dhënave dhe vlerave si ato përmes të cilave ne kemi jetuar”, shkroi ai. “Pothuajse asgjë nuk mbijetoi, materiale apo ekzistuese, me të cilat u rrita për t’i besuar se ishin të përhershme dhe jetike. Te gjithçka që isha i sigurt, ose kam mësuar të jem i sigurt, po ndodh të jenë të pamundura”.

Është meritë e Churchillit që e njohu rëndësinë që ka mos heqja dorë, pa luftë, nga vlerat që mbështesin qytetërimin evropian. Këtë nuk e bënë anëtarët tjerë të klasave sunduese në Evropë. Në vend të kësaj, me vetëdije kërkuan të distancoheshin prej këtyre vlerave e të synojnë ta shkëputnin të tashmen nga e kaluara.

Siç theksoi në vitet 1920 sociologu gjerman Ferdinand Tönnies, shteti modern teknokratik priret t’i trajtojë me “urrejtje e përbuzje” zakonet dhe traditat e jetës së komunitetit. Që nga Lufta e Dytë Botërore, e veçanërisht pas viteve 1960, është intensifikuar ky reagim elitar kundër traditës, si dhe dëshira për ta spastruar të tashmen nga e kaluara. Në fakt, të paktën përgjatë 60 viteve të fundit, e kaluara jo vetëm që është portretizuar shpesh si pengesë për përparimin, por edhe si ndikim keqdashës në të tashmen.

Elitat politike dhe kulturore të sotme perëndimore, vazhdimisht heqin dorë nga çdo ndjesi e vazhdimësisë historike. Shumë prej institucioneve të shoqërisë perëndimore e konsiderojnë si imperativ kulturor shkëputjen nga e kaluara. Një nga pasojat e rënda të kësaj kryqëzate është se tek elitat perëndimore e ka nxitur kulturën e amnezisë historike. Dhe, kjo amnezi ka ndikuar në qasjet e elitave perëndimore ndaj çështjeve gjeopolitike dhe ushtarake.

Në fakt, ato deri tash kanë arritur në përfundimin se në epokën e globalizimit, konfliktet midis shteteve kombëtare e kanë humbur kuptimin. Luftërat konvencionale, siç mendonin ata, shpejtë po shndërrohen në specie të rrezikuara. Kjo nënkuptonte se roli dhe autoriteti i ushtrisë mund të zvogëlohej. Të ashtuquajturit ekspertë të sigurisë pohuan se kërcënimet kryesore do të vinin nga terrorizmi islamik ose ai kibernetik dhe nga akterë tjerë joshtetërorë.

Një amnezi e tillë historike nuk çoi vetëm në zhvlerësimin e ushtrisë, por gjithashtu në ndarjen e elitave kombëtare nga vet kombet e tyre. Dhe, siç kam shkruar më parë, “kur udhëheqësit e humbasin besimin e tyre në komb, gjeopolitika bëhet më e paqëndrueshme”. Në fund të fundit, si mund të mendojnë gjeopolitikisht Departamenti i Shtetit i ShBA-së ose Ministria e Jashtme Britanike nëse kanë pak ndjesi për interesin kombëtar? Përgjigja është arbitrare dhe kaotike. Shumë shpesh ato e kanë imagjinuar veten duke jetuar në një botë post-kombëtare, në të cilën udhëheqësit e kombeve tjera i ndajnë së bashku të gjithë vlerat e ngjashme kozmopolite. Kjo është arsyeja se pse, për ca kohë, ajo që dukej se i nxiste më shumë liderët perëndimorë në lidhje me Putinin, nuk ishin ambiciet e tij gjeopolitike, por dështimi i tij për t’i përqafuar vlerat e tyre.

Ish-presidenti amerikan Barack Obama, e përvetësoi analfabetizmin gjeopolitik që dominonte në diplomacinë perëndimore. I interpretoi marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë përmes prizmit të luftës kulturore të Amerikës. Në fjalimin e marsit 2014 – drejtuar të rinjve të Evropës – e krahasoi kundërshtimin ndaj Rusisë – pasi e kishte aneksuar Krimenë – me kundërshtimin e tij për t’u tërhequr ndaj vlerave kulturore në ShBA. Obama pa u lodh u hodh nga pushtimi i Krimesë prej Rusisë në manifestim të politikës së identitetit. Duke vepruar kështu, na e zbuloi shkallën në të cilën udhëheqja e Amerikës e kishte humbur ndjesinë për t’i qartësuar çështjet gjeopolitike.

Zhvlerësimi i kombit dhe i interesit kombëtar është i lidhur ngushtë me zvogëlimin e statusit të vlerave patriotike, si obligimi dhe përgjegjësia. Nuk është e çuditshme se si shumë analistë perëndimorë e kanë të vështirë ta kuptojnë heroizmin dhe rezistencën e popullit ukrainas. Disa prej tyre mbase po pyesin: po sikur të sulmoheshim ne, a do ta bënin njerëzit tanë një luftë të tillë?

Gjërat ishin krejt ndryshe në vitin 1914. Pastaj, ideja për të luftuar për një kauzë e madje për të rrezikuar jetën me vdekje i ka tërhequr miliona të rinj drejt kauzës së kombit. Në të vërtetë, disa intelektualë romantikë e admiruan vdekjen heroike gjatë Luftës së Madhe. E, sot është e paimagjinueshme që një pjesë e rëndësishme e shoqërisë mund të gjejë ndonjë kuptim në luftë. Po kështu, vdekja në luftëra nuk konsiderohet më si heroike – shihet si humbje e kotë. Siç shpjegoi Christopher Coker në librin e tij “Të bësh luftë pa luftëtarë?”, luftërat janë shkëputur nga vlerat që e frymëzojnë jetën e përditshme.

Nuk është çudi që etosi i sigurisë – në vend të heroizmit – mbizotëron sot në mesin e ushtrive perëndimore. Komandantët e Ushtrisë britanike duhet t’i hartojnë vlerësimet e rrezikut në çdo aspekt të trajnimit të ushtarëve. Në vitin 2007, gjenerali Sir Michael Rose, ish-kreu i SAS-it (forcave ajrore – v.j.), foli për ndikimin shkatërrues që etosi i sigurisë ka në moralin e ushtrisë britanike. Ai tha se “qyqarllëku moral” në historinë e vonshme e ka inkurajuar “kolapsin më katastrofik” në etosin ushtarak.

Në vitin 2018, shefi i atëhershëm i shtabit të mbrojtjes, gjenerali Sir Nick Carter, ka thënë se është i shqetësuar se si të rinjtë nuk e kuptonin më “nocionin e shërbimit”. Duke menduar nëse mund të varen në të ardhmen nga të rinjtë për ta mbështetur ushtrinë, sugjeroi se diçka kishte shkuar shumë keq në mënyrën sesi të rinjtë arsimohen dhe shoqërohen. Dhe, kishte të drejtë. Diçka ka shkuar shumë keq kur shoqëria nuk mund ta kultivojë më te të rinjtë ndjenjën e besnikërisë dhe të obligimit.

Në të kaluarën, shtetin britanik e ushqenin idealet e besnikërisë, të detyrës dhe patriotizmit. Sot këto ia kanë lënë vendin vlerave që lidhen me politikat e identitetit. Madje, edhe institucionet e kthjellëta e mendjemprehta, si Ministria e Mbrojtjes, kanë rënë pre e dogmës. Stafi i Ministrisë këshillohet të jenë të kujdesshëm ndaj përdorimit të fjalës “femër” në rast se kjo i ofendon anëtarët e komunitetit transgjinor. Dhe, stafi i Ministrisë është inkurajuar të publikojë përemrat e tyre të preferuar.

Teksa Rusia pushtoi Ukrainën, seksionet e Ministrisë së Mbrojtjes dolën se ishin më të interesuara për ta eksploruar seksualitetin dhe identitetin gjinor sesa hartimin e një strategjie për frenimin e agresionit ushtarak. Në të vërtetë, pikërisht në momentin kur tanket ruse filluan të marshonin përtej kufirit ukrainas, llogaria “LGBT+ Network” në Twitter – e verifikuar si zyrtare nga Ministria së Mbrojtjes – vazhdoi të shpjegonte kuptimin e termave “lesbike”, “gej”, “biseksual”, “transgjinor”, “transvestit” dhe “në dilema” gjë që, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është “proces i eksplorimit të orientimit seksual dhe/ose identitetit gjinor”. Në ditët që pasuan, ushtarët britanikë me zell bënin thirrje për futjen e uniformave vegane. Duke e parë një sjellje të tillë infantile, dikujt iu kujtua paralajmërimi i filozofit romak Ciceron se “të mbetesh injorant i historisë do të thotë të mbetesh përgjithmonë fëmijë”.

Çështja që duhet diskutuar këtu nuk është nëse shqetësimet e tilla rreth përemrave na shpërqendrojnë nga realitetet gjeopolitike; çështja është se kombet perëndimore, në mungesë të historisë, e kanë të vështirë t’ua japin një kuptim interesave të veta. Në të vërtetë, një nga pasojat e tendencës së shumë dekadave për ta zhvlerësuar ndërgjegjen historike, është se janë hedhur në det vlerat që lidhen me të kaluarën, si patriotizmi, guximi dhe besnikëria. Dhe, pikërisht këto vlera janë të nevojshme për përgatitjen e shoqërisë për t’u përballur me një botë në të cilën konflikti dhe lufta mbeten pjesë integrale.

Kuptimi i historisë është gjithashtu thelbësor për t’i njohur gjërat që rrezikohen nga pushtimi i Ukrainës. Është e qartë se, në dekadat e fundit, diplomacia perëndimore nuk ka arritur t’i kuptojë ndikimet historike që kanë formësuar liderët e Rusisë. Dhe, kjo paaftësi për ta kuptuar këndvështrimin e liderëve rusë ka çuar në nënvlerësim të kërcënimit të paraqitur nga një ekuilibër i pazgjidhur i fuqisë – veçanërisht për Ukrainën. Injoranca dhe konfuzioni i politikanëve dhe diplomatëve perëndimorë është rezultat indirekt i largimit të tyre nga historia.

Elitat perëndimore janë çarmatosur moralisht. Ato mund të kenë fuqi ekonomike dhe sisteme të sofistikuara të armëve, por u mungojnë burimet e nevojshme morale për ta mbështetur interesin kombëtar. Dhe, ato tani po përballen me perspektivën reale të luftës. Disa vendime të vështira duhet të merren. Është e rëndësishme të merremi seriozisht me historinë, për t’i kuptuar çështjet në fjalë. Perëndimi duhet t’i shërojë idealet historike që e mbështesin kulturën e demokracisë. Përndryshe, teksa luan me përemrat, Roma e saj do të digjet.

___________________

(1) Dark Continent: Europe’s Twentieth Century, by M Mazower, Penguin Books, 1999, pX

(2) The New Historicism: And Other Old-Fashioned Topics, by B Thomas, Princeton University Press, 1991, p200

(3) Shih ‘Internal Causes and Purposes of War in Europe, 1870-1956: A Research Assignment’, by AJ Mayer, The Journal of Modern History, Vol 41, No3, (1969) pp291-303

Exit mobile version