Tashmë qytetit të Mitrovicës i janë kthyer figurat më ikonike të kulturës dhe sportit të portretizuar në murale në hapësirat e jashtme të palestrës “Minatori”.
Rruga “Lah Nimani”, tashmë është kthyer në një vend atraktiv për ata që duan t’i shohin këto murale të punuara nga artistë të brezave të rinj.
Drejtori i “Futja Ngjyrë”, Bardhyl Dobroshi në një intervistë për Telegrafin ka treguar se si erdhi deri tek ideja e këtyre muraleve.
Ai tha se me pak ngjyrë janë munduar që hapësirat të cilat kanë qenë të lëna pas dore t’i kthejnë në një hapësirë të bukur.
“Idenë për murale e kemi pasur qysh në vitin 2015. ‘Futja ngjyrë’, ka qenë një grup jo formal. Prej asaj kemi vazhdu vit pas viti, dhe kemi vazhdu me hapësira që kanë qenë të lëna pas dore në Mitrovicë. Jemi mundu që t’i japim ngjyrë. Dhe përmes institucioneve jemi munduar që me pak ngjyrë të ndreqen dhe ato vende”, ka thënë Dobroshi.
Mirëpo, pse pikërisht janë zgjedhur këto hapësira për t’i punuar këto murale?
“Vendi ku jemi tash, ideja ka qenë e projekt menaxheres, Dea Gaxhës. E cila ka thënë që mund t’i marrim krejt artistët e për një kohë shumë të shkurtër t’i bëjmë muralet”, sqaroi ai.
I pyetur se nëse artistët janë vetëm nga Mitrovica, ai tha: “Mitrovicali kemi shumë pak. Janë gjithsej tre prej nëntë muraleve që i kemi bërë këtu. Artistët tjerë janë nga vendet e ndryshme të Kosovës. Por, në këtë edicion jemi shumë të lumtur që kemi pas njerëz edhe jashtë Kosovës. Qëllimet tona janë që të dalim në krejt Kosovën, por siç është ajo fjala popullore ‘‘t’i shtrehim këmbët sa e kemi jorganin’, po mundohemi ta mbërrijmë Mitrovicën, e mandej të shohim pasi mure ka në të gjitha anët”, theksoi ai.
E, pas palestrës së sporteve cili do të jetë vendi që do të punojnë murale të tjera, ai tregoi: “Pas sallës së sporteve, kemi me ia fut ngjyrë te ‘futja zanatit’, ku është palestra ‘Fatime Xhaka’ ”. /Telegrafi/