Njohësi i çështjeve politike dhe bartësi i shumë pozitave në institucione ndërkombëtare, Haki Abazi në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini ka rrëfyer për jetën dhe karrierën e tij.
Abazi ka prezantuar një dokument të rrallë, që sipas tij është i “Konferencën e Pocanticos” që ishte bërë në një fazë kur Serbia dhe Rusia bashkë me disa evropianë kishin arritur të vononin procesin e përcaktimit te statusit final të Kosovës.
“Në atë kohë ne me një grup diplomatësh biseduam për të gjetur një formë në mënyrë që të tejkalonim ketë bllokim të procesit. Vendosëm të organizonim një konferencë në Pocantico ku do të merrnin pjesë anëtarët e Grupin e Unitetit, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe përfaqësuesit më eminentë që ndihmuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Njohësi i çështjeve politike ka thënë se pikërisht në këtë konferencë që është mbajtur në vitin 2007, drejtuesve institucional të Kosovës u ishte dhënë premtimi nga Presidenti Bush se do të njihej Kosova si shtet.
“Në atë konferencë vjen Nicholas Burns dhe komunikon njoftimin e Presidentit Bush se do të njihte Kosovën sapo të shpallej pavarësia. Kjo bëhet ne mënyrë direkte te kryeministri i asaj kohe Agim Çeku dhe presidentit Fatmir Sejdiu”.
Abazi thotë se në fillim lideri i opozitës së asaj kohe, Hashim Thaçi kishte hezituar ta nënshkruaj atë dokument pasi aty parashiheshin që zgjedhjet të mbaheshin nëntë muaj pas shpalljes së pavarësisë.
“Deklarata e Pocanticos përmban një sërë pikash se si do të shkonte procesi deri në shpalljen e Pavarësisë. Një prej çështjeve në dokument ishte se zgjedhjet do të mbaheshin nëntë muaj pas shpalljes së Pavarësisë. Këtu fillon edhe tradhtia e Hashim Thaçit ndaj Deklaratës së Pocanticos në njëfarë forme, pasi ai refuzoi të nënshkruaj në fillim këtë dokument. Nënshkrimi i tij më pas është i fundit pasi nuk i pëlqente propozimi i Ahtisaarit që zgjedhjet të mbaheshin nëntë muaj pas shpalljes së Pavarësisë”, tha ndër të tjera Haki Abazi./Telegrafi/