Hakerët pro-rusë kanë sulmuar ueb-faqet e disa institucioneve dhe ministrive të qeverisë në Itali, ka njoftuar policia italiane.
Grupi italian i sigurisë kibernetike, Yarix ka deklaruar se sulmi ishte nisur të enjten në mbrëmje nga grupi i hakerëve i njohur si Killnet.
Gjatë mëngjesit të sotëm ishte e pamundur të hyni në faqet e internetit të ministrisë së Jashtme italiane dhe shoqatës kombëtare të magjistratëve.
Reuters raporton se një sulm i ngjashëm ndodhi më 11 maj ndërsa policia fundjavën e kaluar njoftoi se kishte penguar një sulm kibernetik gjatë fazës së fundit të festivalit të këngës, “Eurovision”, i cili u zhvilluar në Torino.
Ndryshe, grupi i hakërreve Anonymous, disa herë ka ndërhyrë në serverët e televizioneve ruse, ku ka publikuar lajme rreth mizorive të trupave ruse që po kryejnë në Ukrainë. /Telegrafi/