Telegrafi

Hakerët e Koresë së Veriut targetojnë stërvitjet ushtarake SHBA-Kore e Jugut

Hakerët e dyshuar veri-korean kanë targetuar një ushtrim të përbashkët ushtarak mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut i cili zhvillohet nga nesër, megjithatë informacioni i klasifikuar nuk është komprometuar, deklaroi policia jug-koreane.

Forcat e Koresë së Jugut dhe ato amerikane do të fillojnë të hënën stërvitjet verore 11-ditore të Ulchi Freedom Guardian për të përmirësuar aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur kërcënimeve bërthamore dhe raketore në zhvillim të Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut kundërshton ushtrime të tilla duke thënë se ato janë përgatitje nga SHBA-ja dhe aleati i saj jug-korean për një pushtim të shtetit diktatorial, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

Hakerët besohej se ishin të lidhur me një grup koreano-verior që studiuesit e quajnë Kimsuky dhe ata e kryen hakimin e tyre nëpërmjet emaileve me kontraktorët e shtetit fqinj që punonin në qendrën e kombinuar e simulimit të luftës së stërvitjes Kore e Jugut-SHBA, tha në një deklaratë Agjencia e Policisë Provinciale Gyeonggi Nambu.

“U konfirmua se informacioni i lidhur me ushtrinë nuk ishte vjedhur”, bëri të ditur policia në një deklaratë të dielën.

Koreja e Veriut ka mohuar më parë çdo rol në sulmet kibernetike. Sipas studiuesve, hakerët e Kimsuky kanë përdorur prej kohësh e-maile “spear-phishing” që mashtrojnë objektivat që të heqin dorë nga fjalëkalimet ose të klikojnë bashkëngjitjet ose linqet që ngarkojnë malware.

Policia e Koresë së Jugut dhe ushtria amerikane kryen një hetim të përbashkët dhe zbuluan se adresa IP e përdorur në tentativën e hakerimit përputhej me atë të identifikuar në një hakim të vitit 2014 kundër operatorit të reaktorit bërthamor të Koresë së Jugut, deklaroi policia. /Telegrafi/