Site icon Telegrafi

Hakerat sulmojnë faqet qeveritare në Shqipëri, AKSHI: Situata është në normalitet

Foto: Ilustrim

Pas lajmit për hakimin e disa faqeve qeveritare ka reaguar edhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Në njoftim thuhet se tashmë situata është kthyer në normalitet dhe faqe publike janë rikthyer në funksionim të plotë.

AKSHI thekson se Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetik, gjë që kërkon vëmendje maksimale.

Njoftimi i AKSHI-t:

Informojmë opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike.

Lexo po ashtu Vjen reagimi i Parlamentit të Shqipërisë pasi hakerat sulmuan faqen e tij: U tentua fshirja e të dhënave

Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Theksojmë se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.

Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.

Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale. Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti. /Telegrafi/

Exit mobile version