Site icon Telegrafi

Hajvalia nis përgatitjet për sezonin pranveror

Gara nis më 27 shkurt dhe nuk është vetëm Hajvalia që ka shkurtuar pushimin dimëror për futbollistët, krahasuar me vitet e shkuara.

Gati të gjitha klubet e Kosovës pushimin ndërmjet dy pjesëve të edicionit e kanë shkurtuar dukshëm dhe sipas paralajmërimeve, stërvitjet në të gjitha skuadrat do të nisin në dy javët e para të janarit, shkruan sot Koha Ditore.

Disa prej klubeve si arsye për nisje të përgatitjeve me kohë kanë luftën për titull dhe daljen në garat ndërkombëtare e disa për t’i shpëtuar më së keqes – rënies nga elita.

Trajneri i Hajvalisë, Ismet Munishi, thotë se dalja në Evropë është motiv shtesë për të punuar më intensivisht dhe më shumë se në vitet e shkuara, shkruan kohaditore.

Zyrtarët e FFK-së kanë thënë se ky edicion që po zhvillohet do të jetë kualifikues për dalje në kupat evropiane.

"Nesër (e martë v.j.) do t’i nisim përgatitjet për pjesën e dytë të këtij kampionati. Kjo është një risi. Kemi vendosur t’i nisim më herët për shkak se i kemi të gjitha kushtet. Secili klub i ka objektivat e veta, por ne, përderisa të ekzistojë ky klub, do të synojmë kreun e tabelës dhe triumfin në Kupë. Pavarësisht se a do të ndërkombëtarizohemi apo jo ne i kemi objektivat tanë, por sigurisht se edhe ndërkombëtarizimi është një motiv shtesë", ka thënë Munishi.
 

Exit mobile version