Hajvalia ka pësuar ndryshime të mëdha nga stinori i vjeshtës, pasi ka shkuarje dhe ardhje të shumta. Kështu, pjesë e Hajvalisë nuk janë më Lulëzim Doshlaku, Armend Kastrati, Qëndrim Sejdiu, Akil Makolli e Alban Mavriqi, ndërkohë që rasti rreth largimit të Zogianit është kontestues, pasi Hajvalia nuk heq dorë nga ky futbollist. Në anën tjetër, skuadra është përforcuar me Arben Zhjeçin, Fuad Karabegun, Veton Shabanin e Genc Hamitin.
“Mendoj se kemi arritur t’i mbulojmë hapësirat e krijuara pas largimit të shumë futbollistëve, por ende na duhet një sulmues, si dhe një mesfushorë për ta kompletuar përbërjen. Po presim lajme edhe nga Italia, pasi drejtuesit e klubit janë duke kontaktuar me një sulmues nga Shqipëria, i cili është duke luajtur në një skuadër italiane të rangut më të ulët”, tha Synaj Keçi, sipas të cilit “stërvitjet ka tri javë që po mbahen pa telashe pasi kushtet janë të mira. Ato mbahen në fushën ndihmëse pasi fusha kryesore është duke u ruajtur për garat kampionate”.
Sa i përket vazhdimit të përgatitjeve, Keçi thotë se “planifikojmë edhe shkuarjen jashtë vendit, kështu që një fazë të përgatitjeve do ta kryejmë në Strugë prej nga do të kthehemi një java para ndeshjeve të Kupës së Kosovës”. Pozita e 11-të, e parafundit në Superligë nuk i jep shumë komoditet Hajvalisë, të cilën e presin vështirësi edhe në vazhdim të kampionatit.
“Mbijetesa është synimi kryesor dhe i vetëm sa i përket garave në Superligë. Nuk do ta kemi fare lehtë, por nuk jemi vetëm ne në telashe, pasi ka edhe disa skuadra që po ballafaqohen me vështirësi nga më të ndryshmet. Është e vërtetë se disa skuadra kanë pikë më shumë se ne, por nuk janë në pozitë më të mirë dhe ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë”, tha Keçi, kryetrajner i Hajvalisë. /Zëri/Telegrafi/