Telegrafi

Hajvalia beson në titull

Hajvalia e ka nisur mjaft mirë pjesën e dytë të sezonit. Skuadra prishtinase i ka fituar të dyja ndeshjet, me Prishtinën dhe Istogun, duke e ruajtur pozitën e dytë, vetëm një pikë prapa liderit, Feronikeli.

Njëri prej futbollistëve më të mirë të ekipit të Ismet Munishit, Liridon Leci, thotë se ekipi prishtinas do të luftojë deri në fund të sezonit për titullin historik.

“Mendoj se kemi forcë dhe kemi lojtarë për të luftuar deri në fund. Edhe atë që janë në bankën rezervë janë shumë të mirë dhe mendoj se kjo është forca e Hajvalisë”, shprehet mbrojtësi prishtinas për “Zërin”. Sa u përket rivalëve kryesorë për titull, ish-futbollisti i Prishtinës sheh Feronikelin dhe Besën. “Rëndësi ka që ne t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të kemi kontinuitet të mirë”, nënvizoi Leci.

Ai ka realizuar 6 gola në këtë edicion dhe premton se s’do të ndalet. “Normalisht, ka vend për përmirësime, mirëpo mendoj se jam në formë shumë të mirë dhe në vazhdim forma besoj se do të jetë edhe më e mirë”, përfundoi Leci.