Site icon Telegrafi

Hajrullahu: Qytetarët të dielën duhet të votojnë programin e jo partitë

Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i “Telegrafi.com” në Kosovë duke folur për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale tha se qytetarët duhet t’i japin më shumë rëndësi programit dhe kandidatit se sa përkatësisë politike të tij.

Gazetari Hajrullahu gjatë emisionit “Balkan Talks” me drejtuesin Franko Egro, ka folur për garën e 14 nëntorit të zgjedhjeve lokale, koalicionet që janë bërë gjatë kësaj periudhe si dhe kush mund të jetë fitues në komunat kryesore të Kosovës.

Ai ka përmendur edhe kritikat që po i bëhen kabinetit qeveritar e kryeministrit Albi Kurti se po bënë premtime në fushatë për kandidatët e partisë si tij duke qenë edhe kryeministër i vendit, duke potencuar se këto projekte do të zhvillohen pasi që LVV është në pushtet në nivel vendi.

“Duhet qartësuar pozicioni institucional me pozicionin partiak dhe premtimet që i bën z. Kurti dhe qeveria e tij duhet të jenë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm për kandidatin e tyre, qoftë në Prishtinë, Gjilan apo kudo tjetër”, tha Hajrullahu.

Kryeredaktori i “Telegrafi.com” tha gjatë intervistës se LVV nuk ka bërë ndonjë koalicion paraprak sepse është distancuar nga partitë e deritashme që kanë qeverisur vendin dhe për këtë e ka pasur të vështirë të bëj koalicione paraprake.

“LVV e ka të vështirë që të ndryshojë pas 6 muajve qëndrimet para publikut edhe pse zgjedhjet lokale kanë ndryshim nga zgjedhjet nacionale”, tha ai.

Hajrullahu ka përmendur garën e Prishtinës si më të rëndësishmen duke listuar problemet e qytetarëve në jetën e përditshme.

“Tollovia në komunikacion, mungesa e parqeve, e shkollave dhe kopshteve si dhe e hapësirave për njerëzit në nevojë. Qytetarët do të ishte mirë që të votonin për programin dhe kandidatin dhe jo për partitë politike”, ka deklaruar Hajrullahu.

LVV merr pjesë në 12 komuna në garën e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Ajo është ende në garë në Gjilan, Prizren, Prishtinë dhe Gjakovë që janë komunat më kryesore në Kosovë.

Sipas Hajrullahut, VV do ta ketë shumë të vështirë nëse humb në këto komuna kryesore.

“Nëse humb Prishtinën, Gjilanin apo dhe Podujevën atëherë nuk mund të quhet fitore e Vetëvendosjes”, tha ai.

Exit mobile version