Drilon Hajrizi u suspendua nga klubi pejan për ndeshjen e Ligës Ballkanike kundër Teodo Tivatit, por ai tani kërkon përgjegjësi nga klubi. Sidoqoftë, basketbollisti mitrovicas dhe krerët e klubit pejan do të kenë takim pas ndeshjes në Mal të Zi, ku do të sqarohet e ardhmja e Hajrizit. “Kanë qenë pakënaqësi mes meje dhe trajnerit. Shumë shpejt do të takohemi me kryesinë e klubit për të diskutuar. Unë jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo vendim ana e klubit. Unë nuk jam fajtor dhe nuk jam kundër klubit, por edhe unë i kam disa kërkesa të mia që nuk janë realizuar deri më tani”, ka thënë Hajrizi për ‘Sport Plus’. Hajrizi luajti vetëm disa minuta kundër Sigal Prishtinës, në kuadër të ETC Superligës së Kosovës në basketboll.
Hajrizi bëri të ditur se në pyetje nuk janë problemet financiare. “Jam i fundit që do të reagojë sa i përket vonesës së pagave. Kam luajtur një kohë të gjatë pa para. Kam luajtur vetëm tre minuta kundër Prishtinës dhe trajneri duhet të japë përgjegjësi, nëse jo tek unë, atëherë tek menaxhmenti. Nëse i duhem Pejës jam i gatshëm të jap kontributin tim”, theksoi ish-basketbollisti i Trepçës.
Edhe një vit me Pejën
Ndërkohë, kryetari i klubit të Pejës, Art Gashi, beson se Hajrizi edhe një vit do të qëndrojë në ‘Karagaçi’. “Me Hajrizin do të bisedojmë kur të kthehemi nga Mali i Zi, ku na pret një ndeshje shumë e rëndësishme. Ai ka kontratë deri në fund të sezonit dhe besoj se do të qëndrojë, jo vetëm këtë sezon, por edhe vitin e ardhshëm. Ai vlen shumë dhe këtë duhet ta dëshmojë. Ne presim më shumë nga ai”, deklaroi Gashi, i cili tregon edhe arsyer e suspendimit të basketbollistit mitrovicas. “Ai është suspenduar për shkak të sjelljeve të këqija ndaj trajnerit ndaj Sigal Prishtinës. Trajneri duhet të respektohet. Por, ky dënim është edhe si këshillë për Hajrizin në të ardhmen. Ne duhet të vazhdojmë përpara”, përfundoi Art Gashi.
Drilon Hajrizi u suspendua për ndeshjen me Teodon që zhvillohet të mërkurën në Mal të Zi. Peja pësoi dy humbje radhazi nga Sigal Prishtina, një në kuadër të Ligës Ballkanike dhe një në ETC Superligë, ku shumë lojtarë u akuzuan për mos angazhim, njëri ndër ta edhe Hajrizi. /SportPlus/Telegrafi/