Basketbollistët e Kosovës po vazhdojnë me stërvitje dy herë në ditë, në përgatitjet për parakualifikimet e Eurobasket 2021.
Dardanët do të ndeshen me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, ku fituesi i grupit kualifikohet tutje. Kosova ka zhvilluar dy ndeshje miqësore Sllovakinë, derisa do të zhvillojë edhe dy me Shqipërinë, të premten dhe të shtunën, për t’u përgatitur sa më mirë. Basketbollisti i Kosovës, Drilon Hajrizi, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve.
“Mund të them se përgatitjet po shkojnë ashtu siç kemi planifikuar dhe po japim maksimumin edhe në stërvitje për tu përgatitur sa më mirë. Nuk kemi shumë kohë, andaj duhet të përgatitemi 100 për qind deri para ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresoj të mos kemi lëndime”, deklaroi Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së.
Basketbollisti mitrovicas tha se ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme. “Kemi zhvilluar dy me Sllovakinë, derisa do t’i zhvillojmë edhe dy me Shqipërinë. Këto ndeshje na ndihmojnë t’i përmirësojmë gabimet dhe të fokusohemi 100 për qind për ndeshjet parakualifikuese”.
Ndeshjet miqësore ndaj Shqipërisë do të zhvillohen të premten (19:00) dhe të shtunën (19:00) në Prishtinë. Takimet zhvillohen me dyer të mbyllura.
Në fund, ai foli edhe për gjasat e Kosovës për kualifikim. “Ne do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Në shtëpi do të kemi përkrahjen e publikut, që na kanë mbështetur gjithmonë, por duhet të fitojmë edhe si mysafirë për tu kualifikuar. Britania ka një ekip të mirë, por ne nuk do të dorëzohemi dhe do të luajmë për fitore në çdo ndeshje”, përfundoi Hajrizi.
Ndeshjet parakualifikuese zhvillohen nga 3 deri më 21 gusht.