Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës njofton se Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni ka pranuar informacionin lidhur me arrestimin e Gafurr Dugolli, shtetas i Republikës së Kosovës ne Republikën e Maqedonisë, sipas kërkesës së autoriteteve Serbe për dyshimin që të ketë kryer veprën penale “Krime Lufte” në territorin e Republikës së Kosovës.
Hajredin Kuçi, sipas kumtesës së Ministrisë, fillimisht kishte kontaktuar drejtpërdrejt me homologun e tij në Maqedoni dhe përmes një shkrese zyrtare i është drejtuar autoriteteve maqedone duke theksuar se “ushtrimi i juridiksionit nga një gjykatë serbe për krime që pretendohet të janë kryer në territorin e Republikës së Kosovës, pikërisht dhe vetëm për shkak se ato janë kryer në këtë territor, konsiderojmë se përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, prandaj duke kërkuar ekstradimin në bazë të juridiksionit universal lehtësisht mund të duket si një ndjekje e motivuar politikisht dhe ne shprehim shqetësimin lidhur me aplikimin e normave ndërkombëtare në këtë proces, sidomos për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm të shtetit kërkues”.
Gjithashtu, në letrën e Kuçit thuhet se juridiksioni i supozuar i Serbisë, lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “krime lufte” në territorin e Republikës së Kosovës nga shtetasit e Kosovës është i paligjshëm dhe politikisht i papranueshëm dhe për këtë arsye, në interes të Drejtësisë, është apeluar tek Qeveria maqedone që rreptësishtë të refuzojë çdo kërkesë për ekstradimin e Dugolli në Serbi.