Site icon Telegrafi

Hajnat vjedhin para dhe vulën e Shoqatës së Pensionistëve në Prishtinë

Zyrat e Shoqatës së Pensionistëve Invalidor të Punës, janë plaçkitur gjatë natës së kaluar. Aty përveç të hollave, janë vjedhur edhe dokumente dhe vula e kësaj shoqate.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Muhamet Qyqalla, drejtor i Shoqatës së Pensionistëve të Invalidëve të Punës në Komunën e Prishtinës.

“Më kanë thirrur në ora 13:00, dhe kur kam ardhur pash që e kanë thyer zyrën. Hajnat kanë plaçkitur dhe kanë marrë gjithçka që ne kemi pasur me vlerë. Kur i kam parë, jam befasuar… Nuk e di se si ka mundur të ndodhë kjo… Nuk ka sigurim këtu, veç ditën se natën nuk ka asgjë. Sipas dëshmitarëve, diku nga mesi i natës është thyer, por nuk di më shumë… Kanë hyrë për të vjedhur diçka, por pensionistët invalidor ku ka hyrë shtresa më e ulët që është, ku nuk ka se nga të shkojë më ulët dhe poshtë, kanë ardhur të marrin diçka, por çfarë ka qenë, kanë qenë disa të holla dhe mjete të anëtarësisë dhe asgjë nuk ka pasur, asnjë burim tjetër. Nuk e di se çfarë ‘fytyre’ kanë pasur që të vijnë këtu… Dokumentet kanë qenë me vlerë për shoqatën, vetëm për shoqatën, kemi pasur disa projekte dhe të dhëna, edhe vulën e kanë marrë, që është me rëndësi. Vulën e organizatës, për invalidët e Kosovës e kanë marrë dhe unë nuk e di se çfarë iu duhet vula”, u shpreh ai, për KP.

Ai shtoi se janë të habitur se si ndodhin vjedhje edhe ndaj pensionistëve.

“Ka ardhë kryetari dhe i ka parë zyret këtu dhe janë befasuar dhe janë ndjerë të zhgënjyer se si kanë arritur të vijnë në këtë gjendje, sesi te pensionistët invalidor të ndodhi kjo, askund tjetër në botë nuk ndodh kjo, vetëm te ne në Kosovë”, shtoi ai.

E drejtori i organizatës së pensionistëve invalidor të Kosovës, Ramush Asllani, tha se 300-400 euro ka qenë vlera e dëmit material, duke shpresuar se organet e hetimit, do ta zbardhin rastin.

“Ditën e sotme ka ndodhur një plaçkitje e arkës së ujësjellësit dhe zyrave tona, një demulim. Në arkën tonë kemi pasur një sasi të vogël të mjeteve, 300-400 euro, ato i kanë marrë dhe dokumentacionet i kanë shpërndarë gjatë bastisjes. Jemi të informuar që nga ora tetë (e mëngjesit), që kjo ka ndodhur dhe tani e tutje Policia e kanë marrë dhe organet e rendit hetimet dhe të shohim se çfarë do të ndodhë më tutje”, tha Asllani.

E pensionisti Shyqri Balaj, i cili çdo ditë është viziton shoqatën ku edhe takohet me pensionistë të tjerë, tha se janë thyer dy dyer për të hyrë aty.

“Kjo lloj bastisje, lloj thyerje është veç “një far vagabondizmi”, sepse asgjë nuk ka pasur aty. Pak diçka të holla ndoshta ka pasur… Çfarë miri, keq shumë është bërë. Ne edhe nuk kemi të ardhura nga asgjë, që të na ndihmojë askush dhe këtë na kanë bërë… Është bërë shumë keq, mirëpo unë nuk e di se përse të hyjnë aty, veç “vagabondat”, e bëjnë këtë punë. E kanë thyer me forcë, dy dyer i kanë dëmtuar”, tha ai.

KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, megjithatë, deri tash nuk kanë dhënë detaje.

Exit mobile version