Site icon Telegrafi

Hajnat sulmojnë sigurimin dhe vjedhin cigare në kompaninë “Buçaj”

Një grup hajnash ka grabitur mbrëmë depon e kompanisë së njohur importuese “Buçaj”, në objektin që ndodhet në magjistralen Prishtinë – Shkup.

Hajnat kanë vjedhur cigare, por para se të kryenin grabitjen, ata kanë sulmuar fizikisht dy punëtorë të sigurimit. Një përfaqësues i kompanisë siguruese të objektit të “Buçaj”, King Security, ka thënë për Insajderin se punëtorët e kompanisë janë lidhur dhe më pas sulmuar fizikisht nga hajnat.

“Po janë sulmuar sigurimat, kanë hyrë i kanë lidhur dhe i kanë sulmuar dhe pastaj kanë vjedhur”, kanë thënë nga kompania “King Security”, për Insajderin.

Dy punëtorët e sigurimit kanë pësuar lëndime, por njëri është lënduar rëndë dhe ka marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare.

Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin për Insajderin. Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë se personat që grabitën depon e “Buçaj”, kanë qenë të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri.

“Rreth orës 23 të mbrëmjes është raportuar një grabitje. Rasti ka ndodhur në një depo në magjistralen Prishtinë-Shkup, ku nga persona të maskuar dhe të armatosur janë grabitur cigare”, ka thënë Ahmeti, për Insajderin.

Policia ka thënë se “në këtë rast, nga personat e dyshuar janë sulmuar fizikisht dy persona; njëri prej të cilëve ka pësuar lëndime dhe është dërguar në QKUK për trejtman mjekësor.”

Policia ende nuk ka vlerësuar dëmet që i janë shkaktuar kompanisë, por ka thënë se detaje të tjera do të publikohen ditëve në vijim.

Exit mobile version