Telegrafi

Hajnat e armatosur e ndalin Jeffersonin, e detyrojnë të gjunjëzohet me duart lartë dhe ia rrëmbejnë veturën (Foto/Video)

Futbollisti brazilian, Jefferson, është sulmuar nga një grup i armatosur, të cilët ia kanë rrëmbyer veturën e tij, Range Rover.

Portieri i Botafogos ishte nisur për në stërvitje, kur persona të armatosur e kishin ndalur automjetin para tij dhe e kanë detyruar të dalë nga vetura.

Momenti kur hajnat dalin nga vetura dhe ia drejtojnë armët (CCTV)

Kamerat e sigurisë e kanë xhiruar 34-vjeçarin të ulur në gjunjë dhe me duart lart. Hajnat e maskuar më pas kanë hipur në Range Roverin e Jeffersonit dhe kanë ikur.

Më pas, në xhirimet e CCTV shihet portieri duke u çuar në këmbe dhe duke u nisur të ecë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të dielës në Rio de Janeiro.

Jefferson u gjunjëzua dhe çoi duart lartë (CCTV)

Megjithatë, mediat lokale kanë bërë të ditur, të dielën në mbrëmje, polica e ka gjetur Range Roverin e Jeffersonit në paralagjen e Rios, Fazedinha.

“Fatkeqësisht, edhe unë u bëra një viktimë e dhunës që po e rrënon qytetin tonë. Isha duke shkuar në stërvitje te Botafogo kur u kërcënova nga persona të armatosur që u përpoqën të ma vidhnin veturën dhe gjësendet e mia”.

Policia e ka gjetur veturën në mbrëmje (CCTV)

“Zoti ma dha qetësinë që ta tejkaloja situatën e rrezikshme dhe falë Tij nuk përjetova kurrfarë dhune”, ka shkruar Jefferson në Twitter.

Gjatë karrierës së tij, portieri ka luajtur në Turqi gjatë viteve 2005-2009, te Trabzonspori dhe Konyaspori, ndërsa e ka përfaqësuar Brazilin në triumfin e Kupës së Konfederatave në vitin 2013.

Ai ishte portieri i dytë i përfaqësueses në Kampionatin Botëror të vitit 2014. /Telegrafi/