Telegrafi

Hajnat dështojnë të vjedhin para në një shitore në Prishtinë, kamerat kapin gjithçka (Video)

Një shitore në Prishtinë është bërë për herë të gjashtë cak i hajnave. Pronari thotë se Policia deri më tani nuk ka bërë asgjë për të zbuluar se kush po ia thyen dyert e dyqanit gjatë natës.

Sevdail Rafunës nga Prishtina i ka dal punë mbrëmë me hajnat. Dy të panjohur ia thyen dyert e shitores me qëllim që t’ia vjedhin paratë që i ka grumbulluar Rafuna me shitjet e ditës së djeshme.

Dy hajna i thyen dyert e shitores me forcë e pastaj kur hynë brenda, siç shihet në video, me shpejtësi mundohen të gjejnë para. Madje njëri nga ta, pasi hyn brenda shihet me një qese në dorë, i gatshëm ta mbush me para. Por do të zhgënjehet keq me vetëm disa centë.

Tjetri, në pamundësi për të gjetur gjëra të vlefshme, tenton të vjedh ndonjë pako me cigare. Por edhe këtu dështon, pasi nuk mund ta hap dollapin ku janë të vendosura cigaret.

Rafuna thotë se telefonoi Policinë e Kosovës, pas orës 2 të natës, por ata kur erdhën i thanë se në këtë kohë nuk ka hetues.

“Më thanë të pres deri në ora 8 të mëngjesit, pastaj do të vijnë hetuesit”, deklaron Rafuna.

Ai shton se kjo është hera e gjashtë që hajnat i thyejnë shitoren, por nuk kanë mundur t’i bëjnë dëme të mëdha pasi asnjëherë nuk len para në arkë gjatë natës.

“Nuk po di çka me bo, Policia po thotë hetimet vazhdojnë. Një herë e pata zanë njanin, por bashkë me mua, e liruan edhe atë”, pohon Rafuna.

Ai thotë se edhe videot nuk do t’i dërgoj në Polici, pasi nuk pret ndonjë rezultat. /lajmi.net