Më shumë se 20 shtëpi të banorëve të Restelicës janë plaçkitur në 48 orët e fundit.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Fatir Berzati nga Partia Gorane Unike (Jedinstvena Goranska Partia), i cili pas lajmërimit të rastit ka dal në terren për ta vizituar fshatin Restelicë.
Ai tha se shtëpitë janë thyer pasi që pronarët e tyre jetojnë jashtë shtetit.
Në mesin e shtëpive të plaçkitura sipas Berzatit është edhe shtëpia e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Adem Hoxha.
Lajmin për KosovaPress e konfirmoi edhe Shaqir Uka nga Policia e Prizrenit. Sipas tij më 22 nëntor, Policia e Kosovës ka marr informatë për disa plaçkitje në fshatin Restelicë.
Uka tha se hajnat kanë tentuar të plaçkitin rreth njëmbëdhjetë shtëpi të cilat janë të pabanuara, ku shtatë shtëpive i është dëmtuar vetëm dera e hyrjes, kurse tek katër tjera nuk është parë ndonjë dëmtim.
Ai tha se nuk ka pasur vjedhje apo dëmtim prone dhe se shtëpisë së deputetit Adem Hoxha i është thyer vetëm dera e hyrjes.
Fshati Restelicë ka rreth 1.500 shtëpi të banueshme dhe mbi 7 mijë banorë të komunitetit goran që aktualisht jetojnë në Restelicë. Ndryshe, së bashku me mërgimtarët shifra arrin deri në 13 mijë.