Ishte ditë e bukur vere, një ditë sikur zoti me e pasë ba nergut për me shkëlqye heroi ynë i sotëm, hajduti i vogël global, emri i të cilit është krejt i parëndësishëm për rrëfimin tonë. Çdo vend i ka.
Krejt elementet e ngjarjes ishin aty. Një qytetar i pakujdesshëm që po rregullonte diçka mbi motorin e tij, kuleta e fryrë në xhepin e tij të pasmë dhe një hajdut ordiner i cili po kalonte atypari. Dhe, kaq mjafton. Sot, sa hap e mbyll sytë të bëhesh ngjarje planetare. Të mos harrojmë, duhej edhe një kamerë sigurie…!
Krejt ndryshe është kur shteti të fut dorën në xhep. Shteti e bënë punën me plan, jo në afekt. Duhen shumë protesta, pastaj disa tonelata me lotsjellës dhe së paku një njësit “revolucionar” që thyen diçka për t’u shndërruar në ngjarje me të cilën do të argëtohej planeti. Preferohen ngjarjet spontane, simpatike.
Për dallim, shteti është si ujku: çka e merr nuk e kthen, përpos në ndonjë tender të kurdisur nergut për të dështuar dhe për të paguar pastaj dëmshpërblim në arbitrazh. Pra, shteti e mendon larg, e ky hajduti ynë i pafat global mendon aty për aty. Madje, pa e menduar e mori kuletën e huaj të cilin vetëm pas disa sekondash e ktheu, natyrisht kur e kuptoi se ka rënë në kamerë të sigurisë.
Kjo është tema jonë e sotme, të dashur miq, e shtruar në parim. Gjithsesi, kujdes me përgjigjen, sepse pasojat mund të jenë globale.
Mund ta keni parë edhe ju, një video, një ngjarje e kapur nga kamera e sigurisë nr.4, diku në ndonjë kënd të humbur të botës. Duket si një ngjarje krejtësisht e rastit, e cila flet për një hajdut xhepash, aspak të ndryshëm nga kolegët e tij anembanë globit të kapur në flagrancë. Ngjarja duket të jetë e hedhur pastaj në rrjet, sa për gallatë. Por, nuk është gallatë si kur brekët e shqyera të politikës shqiptare, të cilat pastaj e argëtuan popullin me muaj dhe krejt përfundoi pa të keqen e askujt. Nuk është gallatë as sikur Kallashi numëronte paratë e fituara duke dridhur të pasmet. Është çështje parimore.
Ngjarja fillon thjeshtë. Një motorist është përkulur mbi motorin tij. Në xhepin e tij të prapmë i duket kuleta e fryrë. Një kalimtar rasti nuk i reziston dot tundimit, kështu që e merr atë nga xhepi i tij, dhe duke u larguar me hap si era, e ngre kokën dhe sheh atje lartë kamerën e sigurisë.
Fytyra e tij ja vlen të përshkruhet. Po kush e përshkruan thuaj. Fytyrë fëmije, kur i mbushë…!
Të fsheh kuletën, të ikën mbase, apo të qëndrojë duke hedhur fajin dikujt tjetër, si opozitës për shembull? Jo, heroi ynë nuk u bllokua as filloi të grindet si veprojnë qeveritarët kur zihen me… kuletë për dore. Në fund të fundit, kur politika abuzon buxhetin dhe kur dëmi ndahet nëpër taksapagues, secilit veç e veç mund t’i bjerë të jetë dëmtuar më pak se ky personazhi ynë. Nuk ja vlen as me e përmend. Tik, tak, tik…!
Të pranonte fajin me pendim ose të bënte diçka për të hutuar publikun? Mund edhe të lozte budallain, por nuk shitej, se ai nuk është zyrtar shteti! Për herë të parë mbase e kuptoi se as zyrtarët nuk e kanë të lehtë. Si arrijnë të fshehin milionët e tyre të (para)politikës, do të ketë menduar ai me shpejtësi drite!
I keni parasysh ata filmat me skena erotike, kur çifti zihet mbi njëri-tjetrin dhe mbeten pa tekst, e pastaj mezi arrijnë të thonë: “Nuk është ashtu si po duket”. Po pra, është montim, do të klithte njeriu ynë i politikës. As mos mendoni se mund të jetë ashtu si po duket! Këtë deshi ta bëjë mbase edhe hajduti “ynë” fatkeq, por ai ishte aq inteligjent për të kuptuar se nuk e ha kush.
Por, të kthehemi te skena ku shihet tipi i kapur me kuletë për dore. Krejt ngjarja kap disa sekonda. Kur e pa se e nuk nxirrej dot, derisa motoristi po kthehej tashmë me fytyrë nga ai, ky e hedh kuletën për toke duke u shndërruar kështu, sa hap e mbyll sytë, në një gjetës të ndershëm i cili me zemërgjerësi e lajmëron kuletën e “gjetur”. Motoristi e merr kuletën, numëron paratë dhe shikon punën e vet, pa kuptuar fare asgjë nga krejt kjo dramë e vogël.
Ajo që është e pazakontë në këtë ngjarje është momenti kur hajduti i xhepave e kthen kokën nga kamera dhe i kërkon falje asaj, duke i kryqëzuar duart e tij mbi gjoks dhe duke e shikuar plot përulësi drejtë saj. Kërkon falje plotë pendesë. Kjo doli të jetë kërkimfalje jo prej rojës prapa kamerave, por prej publikut global.
I nderuar qytetar global, po e falim apo jo këtë hajdutin simpatik i cili kush e di se nga cili kënd i planetit hyri në përditshmërinë tonë falë rrjetit planetarë të analizës?! Është apo nuk është ende fajtor?
Veç, kujdes ju lutem, mos e merrni papërgjegjshëm këtë rast, i cili mund të krijojë norma morale globale. Nëse e falim lehtë, fal popullaritetit të arritur tashmë, edhe pse hajdut, mund të zgjidhet fare lehtë deputet në Parlamentin e vendit të tij. Ky me këtë dorë që ka, veç politikan mund të bëhet…!
E di që se çfarëdo krahasimi me politikën tonë duket i pa vend dhe i papranueshëm. Në fund të fundit ai është një hajdut i vogël, por global, e këta tonët janë lokalë. Të mëdhenj, por me karakter lokal. Nuk janë as simpatikë mund të thoni. Mbase krejt kjo është çështje horizonti, pikëpamjesh, mbase edhe mirë apo keqkuptimi publik. Cila çon më shumë peshë në jetën tuaj: globalja apo lokalja?
Sido që të jetë, a më thoni se qysh po e mbyllim këtë çështje? Është apo nuk është ende fajtor?