Drejtues të Organizatës Nacionale të Turizmit të Malit të Zi kanë shpalosur të premten në Prishtinë ofertat turistike për sezonin veror 2022.
Përfaqësues të kësaj organizate thanë se janë përgatitur për pritjen e turistëve duke ftuar kosovarët t’i kalojnë pushimet në bregdetin malazez.
Pavarësisht ngritjes së çmimeve në tregjet globale, Liljana Qukiq përfaqësuese e Organizatës Nacionale të Turizmit në Mal të Zi tha se do të bëjnë përpjekje që çmimet për shërbime të mbeten të njëjta sikur në vitin e kaluar.
“Ajo që është interesante është që Mali i Zi, për këtë vit e ka përgatitur një ofertë turistike të llojllojshme. Turizmi është munduar dhe ende po mundohen që t’i mbajnë çmimet në nivelin e vitit të kaluar, edhe pse po e shohim që për çdo ditë po rriten çmimet e të gjitha gjërave ushqimore dhe shërbimeve të ndryshme. Mirëpo, duke respektuar rëndësinë e këtij tregu, po mundohemi që çmimet t’i mbajmë në nivelin e vitit të kaluar”, theksoi ajo.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Gëzim Hajdinaga pret që në këtë vit të shtohet edhe më shumë numri i turistëve nga Kosova, derisa tha se Ulqini është më i lirë se Prishtina.
“Kosova e njeh Ulqinin jo më pak se unë. Do të mundohemi që çmimet mos të rriten në limitet e pakapshme për çdo xhep të turistëve nga Kosova… Marrë në përgjithësi, Ulqini është më i lirë se Prishtina. Restorantet në Prishtinë janë më shtrenjtë se në Ulqin. Ndërsa, sa i përket shtrenjtimit dhe hoteleve jemi më konkurrent me çmime se sa edhe vet Shqipëria… Unë ju rekomandoj që të shkoni në çdo qytet të Malit të Zi, ju ftoj të shkoni në Shqipëri dhe shtatë ditë t’i lini për Ulqinin”, theksoi Hajdinaga.
Në këtë konferencë për media ofertat turistike i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e qyteteve tjera bregdetare, nga Cetinje, Podgorica, Tivari dhe Budva.
Po ashtu, përfaqësuesit nga Mali i Zi, theksuan se autoritetet atje kanë hequr masat parandaluese për COVID-19, dhe nuk kërkohet në kufi certifikata e vaksinimit. /KP/Telegrafi/