Ky qenka i mërzitshëm fare, do të thoni sapo të lexoni titullin. Nuk e lë të majtën të shijojë fitoren e as të djathtën të vajtojë humbjen e vet sipas traditës. Shkodrançe. Jo mor burrë, po nuk e kisha me ta. As me politikën kosovare, e cila kohët e fundit ka përpëlitje speciale, verore. Duhet me çdo kusht të votoj Specialen. Vetëm atëherë deputetët mund të shkojnë në pushime. Pra, politika ka marrë detyra shtëpie, të cilat si duket nga raportimet e mediave, nuk i bën dot. Pastaj, janë bërë mjeshtër edhe deputetët tanë të rinj e me krejt pak përvojë. Thonë se nuk e votojnë specialen, për motive patriotike në mbrojtje të luftës, e në fakt ka shumë gjasë e bëjnë për biznes. Qesin në treg votën. Kështu e ngrenë çmimin.
E, pagesa bëhet me favore, e mbase edhe me lek. Por, njëjtë i bie. Favoret fare lehtë konvertohen në lekë. Pastaj në këtë kohë Hasani me meshkujt dhe gocat e antikorrupsionit edhe mund të ketë shkuar dikah për pushime. Ai edhe nuk lodhet shumë se e ka mandatin e dytë në antikorrupsion dhe nuk e zgjedhin më, as përkundër faktit se nuk i trazoi fare këto tetë vite. Është për t’u vlerësuar qëndrimi i tij i dinjitetshëm dhe i heshtur përballë pamjeve kur qeveria dhe krimi flenë në një shtrat. Por, vetëm flinin. Krejt pafajshëm. Vetëm me gërhitjen e tyre publike e shqetësonin qytetarinë. Por, jo edhe… lëre fare! Fundja e gërhitur është, jo seks publik. S’ka punë për mediat aty… e as për Hasanët.
Hajde rrena!
Pra, kur të lexoni titullin, do të thoni me vete, se ky nuk i lë rehat politikanët as në sezonin e verës. As plazhet e virgjëra shqiptare (nejse, kjo me virgjërinë mund të duket e ekzagjeruar pak) e as kripa e shumtë nuk e shpëlajnë ndjenjën e keqe se jeton diku ku pushteti krimbet shpejt. E kripë i paskan hedhur pa hesap sivjet. Sikur të ishte nga donacionet. Edhe vaji vete me çmime të përballueshme. Vetëm të fërgohesh në plazhet e pafund të atdheut dhe të meditosh për ofertën e klasës politike, e cila ofron majat e sefasë.
Hajde rrena!
Politikanët mbase do thonë nën zë se jam krejt i pashpirt dhe i pashpresë, derisa edhe nga bregdeti po e bën opozitën, aty ku të gjithë jemi pa rrobat e shtrenjta, pa aksesorët apo pa suitën përcjellëse. Ndoshta plazhi është i vetmi vend ku politika ndihet e kompleksuar para njeriut të zakonshëm, i cili nuk vuan prej kilogramëve të tepërt apo prej lajmeve nga bursa. Në fund të fundit, a nuk kemi ikur të gjithë nga politika?
“Hajde rrena!”, dëgjohet zëri kumbues i gazetashitësit lëvizës, i cili sikur nuk i lexon raportet e ndryshme ndërkombëtare për zhvillimet në republikat tona të pavarura. Qoftë ato raportet për politikën apo “qenin” besnik të politikës, mediat. Mediat, definitivisht nuk bëjnë dot pa politikën. Tash ka media të pavarura, por vetëm nga qeveria. Nëse je i pavarur nga qeveria, nuk shpëton dot nga opozita. I varur je gjithsesi. Së paku nga shoqëria civile, e cila bënë praktikën për t’u hedhur në arenën ku gladiatorët grihen për pushtet. Ja fut kot ky, shitësi i gazetave, po thosha me vete derisa po i paguaja lekët për disa nga gazetat ditore, të cilat ai i shet suksesshëm në plazhin e bukur të Velipojës. Nuk jetohet pa rrena, mendova… dhe “thava” lekët. Kur jemi te rrena, përse Salua nuk na e fali Velipojën?! Fundja rrenë ishte.