Site icon Telegrafi

Hajdari: Kosova ka mungesë të inxhinierëve të profileve të ndryshme

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdar, ka marrë pjesë në ngjarjen “Ndërlidhja e ofertës me kërkesën në tregun e punës”, me moton “Aftësim, Punësim, Zhvillim”, të organizuar nga Shehu Academy, në bashkëpunim me projektin e USAID ‘Kosovo Compete Activity’.

Në këtë ngjarje, Hajdari në fjalën e saj ka përmendur mungesën e inxhinierëve të profileve dhe nënprofileve të ndryshme të nevojshme për industrinë e Kosovës.

Ajo ka thënë se të gjithë ata që do të përbëjnë ekonominë e së nesërmes, janë ata se çfarë marrin sot nga institucionet arsimore dhe të trajnimit, dhe se çfarë arsimimi dhe trajnimi do të iu ofrohet atyre do të pasqyrohet në ekonominë e vendit.

Hajdari ka shtuar se, për një aftësim të duhur dhe me kompetencë, gjersa është e nevojshme angazhimi i mësimdhënësve dhe pjesëtarëve tjerë të arsimit për kontributin e tyre të vlefshëm, është më së i nevojshëm pro aktiviteti nga komuniteti i biznesit për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional, përveç veprimeve të tanishme të Qeverisë me politikat, legjislacionet dhe mekanizmat e themeluar për aftësim, punësim dhe zhvillim.

“Me politikën tonë industriale, ne synojmë transformimin e industrisë së vendit në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë, të cilën do ta arrijmë nëpërmjet thellimit të zinxhirëve të vlerës së brendshme, rritjes dhe diversifikimit të prodhimeve të eksporteve, përmirësimit të kualifikimit të fuqisë punëtore, një dixhitalizimi të përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e gjelbër, si dhe një përdorim më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara.  Dhe, në arritjen e këtij synimi, komuniteti i biznesit ka rol të veçantë në përmirësimin e kualifikimit të fuqisë punëtore dhe punësimit të denjë, për prodhim të produkteve vendore me vlerë të lartë të shtuar” theksoi Ministrja Hajdari.

Në fjalimin e Ministres është përmendur edhe ndërlidhja me Diasporën, si dhe tërheqja e investimeve në industrinë prodhuese, gjersa studimet kanë nxjerrë në pah rolin qendror të sektorit të prodhimit për rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vend. /Telegrafi/

Exit mobile version