Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se deklarata e saj për reciprocitetin është keqinterpretuar.
Hajdari gjatë një konference sot Duke prekur temën e reciprocitetit, u shpreh se nuk ka dashur që të ndërmarrë menjëherë këtë veprim, duke shprehur gatishmërinë që problemet të zgjidhen në tryezë përmes mekanizmave të duhur.
“Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar. Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë”, thuhet në reagimin e saj.
Ajo ka shtuar se “Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin”.
“Në Qeverinë Kurti 1 e patëm vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve. Reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve”, shkruan ajo.
“Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave”, shkruan Hajdari. /Telegrafi/