Telegrafi

Hahn: Viti 2025 është datë reale për anëtarësim në BE

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, në një intervistë për “Die Welt” thotë se viti 2025 është datë reale për pranimin e anëtareve të reja nga Ballkani, por vetëm nëse plotësohen kushtet.

“Data 2025 është indikativ, por nëse intensifikohet zbatimi i reformave ai është mjaft real. Por, gjithë kriteret për anëtarësim duhet të përmbushen më parë, pasi nuk ka rrugë të shkurtë. Motoja është ‘cilësi para shpejtësisë'”, tha Hahn, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai në intervistë edhe një herë përshëndeti votimin për ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë.

“I falënderoj gjithë ata deputetë që përmbushën përgjegjësinë dhe intersat shtetërore i vendosën para atyre partiake. Kjo është e veçantë për deputetët e opozitës të cilët votuan kundër vijës partiake dhe u ballafaquan me pasojat, gjegjësisht përjashtimin nga partia”, tha Hahn.

Ai u shpreh i bindur se Marrëveshja e Prespës do të votohet edhe në Greqi dhe shtoi se kjo marrëveshje do të dërgojë sinjal të faljes në gjithë rajonin./Telegrafi/