Një tryezë në sallën N 409 të Kuvendit të Kosovës është bërë gati që të presë të martën liderët e subjekteve politike të pushtetit e të opozitës. Nikoqir është një ndërkombëtar.
Është Johannes Hahn, komisionar i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, ai që ka iniciuar takimin midis politikanëve të të dyja kampeve politike që kanë zhytur vendin në krizën më të thellë politike që njeh Kosova. Gjatë gjithë këtij mandati ata nuk janë ulur përreth një tryeze, shkruan sot Koha Ditore.
Kanë refuzuar edhe çfarëdo komunikimi. Opozita ia kërkon dorëheqjen Qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, diçka që partitë e koalicionit e refuzojnë.
Komisionari Hahn ka ndërmjetësuar edhe krizën në Maqedoni ndërmjet pushtetit e opozitës, e cila e çoi në dorëheqje kryeministrin Nikola Gruevski dhe i futi subjektet politike në negociata për zgjedhje të parakohshme.
Megjithëkëtë, kriza nuk mori zgjidhje finale, ngaqë jo të gjitha subjektet politike janë pajtuar për datën e zgjedhjeve dhe për reformat e ndërmarra para organizimit të tyre.