Telegrafi

Hahn: Qytetarët e Maqedonisë meritojnë gjykata të pa korruptuara

Komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, thotë se reformat në sistemin e drejtësisë janë thelbësore në konsolidimin e institucioneve, e në veçanti në vendosjen shtetit ligjor në vend.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, komisioneri Hahn, thotë se procesi i reformave është në fillimet e tij dhe se i beson ekspertit gjerman, Reinhard Pribe, i deleguar për të mbikëqyrur planin aksional të Qeverisë për zbatimin e reformave prioritare.

“Është shumë me rëndësi që të kthehet besimi në sistemin e drejtësisë, në kualitetin e gjyqësorit. Mendoj se ky është edhe qëllimi i njerëzve që punojnë aty, i prokurorëve, gjykatësve, shërbyesve publik dhe mendoj se kjo është ajo që njerëzit e meritojnë, që të mund të kenë gjyqësor funksional, transparent dhe të pa korruptuar”, ka deklaruar komisioneri Hahn.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe hetimeve të nisura nga Prokuroria Speciale, Hahn, thotë se ligjet duhet të funksionojnë dhe se duhet kohë për zbatimin e hetimeve që të mund të ketë edhe epilog konkret.

“I takon Qeverisë që të diskutojë se si të mund të ketë shtyrje të afatit, apo të ndonjë konstruksioni tjetër të mundshëm. Edhe njëherë e them se është me rëndësi që njerëzit të kenë përshtypjen, nëse dëshironi që të besojnë se të gjitha rastet kriminale do të hetohen në tërësi dhe nëse ka nevojë, të ketë akuza dhe të ketë edhe dënime nëse kjo e domosdoshme. Bëhet fjalë për gjithë sistemin gjyqësor që duhet të funksionojë”, shprehet komisioneri Hahn.

Kryeministri Zoran Zaev pas takimit me komisionerin Johanes Hahn, tha se pavarësia e gjyqësorit mbetet një nga prioritetet e angazhimit të tij dhe se këtë do të synojë ta arrijë përmes një rizgjedhjes së gjykatësve për të pastruar këtë pushtet nga elementët e korruptuar.

Por, kjo nga opozita që drejtohet nga ish kryeministri Nikolla Gruevski, shihet si hakmarrje dhe tendencë për politizimin e gjyqësorit, siç ka thënë ai.

Ekspertët nga ana tjetër, thonë se politizimi i gjyqësorit nivelin më të lartë e ka arritur në qeverisjen e VMRO-së në 11 vitet e fundit.

Osman Kadriu, profesor i së Drejtës Kushtetuese, thotë se Qeveria e re ka shumë punë, nëse vërtetë synon funksionimin e shtetit ligjor. Sa i përket paralajmërimit për rizgjedhjen e gjykatësve, ai thotë se kjo do të jetë e pamundur pa ndryshime të shumta ligjore, që kërkojnë edhe dy të tretat e votave, të cilat nuk i ka shumica e re parlamentare.

Deri në krijimin e kushteve për këtë, ai thotë se duhet të miratohen ndryshimet ku nuk kërkohet një shumë absolute apo e dyfishtë.

“Këtu kemi ligjet disa ligje për gjyqësorin për prokurorinë speciale, për prokurorinë shtetërore… pra mund të vendosin për ato ligje për të cilat nuk kërkohet shumica e dyfishtë por shumica relative apo vetëm se 61 vota të deputetëve”, thotë Kadriu.

Sipas tij, prioritet në hartimin e paketës së ligjeve reformuese duhet të ketë edhe ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike, që edhe ishte një nga çështjet më të debatueshme në periudhën e para formimit të Qeverisë së re, por edhe premtim i partive politike shqiptare me deklaratën e përbashkët.

Deri në fund të muajit, Qeveria bazuar në deklaratat pas takimit të së hënës me komisionerin Johanes Hahn duhet të miratojë planin aksional të reformave prioritare. Se cilat sfera do të përfshijë, do të varet nga bisedimet intensive që do të zhvillohen me ekspertin gjerman Reinhard Pribe i cili deri në fund të qershorit do të qëndrojë në Maqedoni.