Telegrafi

Hahn: Presim që Ivanov t’ia jep mandatin Zaevit

Eurokomesari Johannes Hahn në një deklaratë të publikuar në web faqen e Bashkimit Evropain, ka thënë se pasi Zoran Zaev ka marrë nënshkrimet e nevojshme të deputetëve, është koha që presidenti Gjorge Ivanov t’ia jep mandatin për formimin e qeverisë së re, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Ndryshimet në shoqëritë demokratike janë të natyrshme dhe duhet të jenë të mirëseardhura, si rezultat i zgjedhjeve të besueshme. Pranimi dhe respektimi i rezultatit zgjedhor dhe të drejtës së liderëve të tentojnë të formojnë qeverinë e re, është shenjë e demokracisë. Obstruksionet dhe nënçmimet e këtyre përpjekjeve nuk kanë vend në një proces demokratik. Për këtë qëllim presim nga të gjitha partitë që t’i respektojnë parimet dhe standardet demokratike dhe të kyçen në mënyrë konstruktive dhe të kenë për qëllim mënyrën e bashkëpunimit në vend se të nënçmohen njëri me tjetrin. Kjo qasje e solli vendin në krizë. Duhet të anashkalohen nga të gjithë pa marrë parasysh se janë në pushtet apo opozitë. Që të dyja bashkë, opozita dhe pozita kanë për detyrë dhe peshë në funksionimin e një demokracie dhe që të dyja mund ti japin formë ardhmërisë së shtetit”, deklaroi Hahn./Telegrafi/