Komisionari evropian për zgjerim, Johanes Hahn në konferencë për shtyp pas mbledhjes së ministrave ku u anulua vendimi për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë tha se një pjesë e vogël e vendeve anëtare të BE-së nuk pranuan hapjen e bisedimeve.
“Për fat të keq, një pjesë e vogël e vendeve anëtare nuk kishin mundësi të përkrahin propozimin e qartë të Komisionit Evropian që të hapen bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. KE beson se Bashkimi Evropian duhet t’i shpërblejë ata që kanë përmbushur kërkesat e vendosura nga vet Këshilli vitin e kaluar|, tha Hahn, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ministrat e vendeve anëtare sot vendosën ta anulojnë edhe një herë vendimin për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë dhe u dakorduan se këtë çështje do ta diskutojnë jo më vonë se deri në tetor të këtij viti.
Zyrtarisht, arsye kryesore është për “kufizimin e kohës” që ka Parlamenti gjerman, i cili ka obligim të miratojë vendimet lidhur me zgjerim, edhe të shumtë janë ata që konsiderojnë se bëhet fjalë për mungesë të vullnetit politik, për shkak se dihej se në qershor do ta mbanin këtë diskutim.
Franca është njëra ndër vendet që ka rezerva lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Gjatë ditës së sotme, Parisi zyrtar ka porositur “se duhen diskutime më të thelluara” dhe vazhdon të insistojë se reforma e brendshme e BE-së duhet të ndodhë para ndonjë vendim për zgjerim.
“Edhe krahas anulimit, të gjitha vendet anëtare e kanë përshëndetur Marrëveshjen e Prespës”, deklaroi Hahn duke shprehur se në tetor pret vendim pozitiv.
Ai shtoi se me vëmendje ka dëgjuar vendet anëtare se si janë deklaruar se çmojnë Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/