Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn e ka cilësuar si “të mirë dhe të hapur”, diskutimin me Haradinajn, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.
Pasi nuk kishte konferencë për media, Hahn dhe Haradinaj zgjodhën rrjetet sociale të tregojnë për temat e diskutimit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, Hahn ka vlerësuar se Kosova mund të përparojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, tranmseton Telegrafi.
“Vizita e parë e vitit 2019 është në rajon, në Prishtinë. Pati një diskutim të mirë dhe të hapur me kryeministrin Haradinaj dhe ministrat e tjerë. Duke shpresuar që të punojmë ngushtë me të gjitha temat e hapura, Kosova mund të përparojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Hahn.
Takim të rëndësishëm me Hahnin, e cilësoi edhe kryeministri Haradinaj.
Ai në Facebook tha se pret që të merret një vendim i shpejtë për liberalizimin e vizave.
“Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën europiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lirë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/