Telegrafi

Hahn: Komisioni Evropian do të rekomandojë hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

Komisioni Evropian do të rekomandoj hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në fund të majit, konfirmon komisari për zgjerim në BE, Johanes Hahn.

Në intervistë për Radio Evropa e Lire, Hahn konfirmoi se rekomandimi do të publikohet më 29 maj, kur Komisioni Evropian do ta sqarojë raportin vjetor për progresin e vendeve që janë në procesin e zgjerimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për dy javë do ta paraqesim raportin tonë vjetor ku definitivisht do të rekomandojmë hapjen e negociatave për dy vendet (Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë)”, deklaroi Hahn.

Ashtu siç theksoi komisari evropian, nga shtetet anëtare të BE varet nëse ato do të pajtohen me rekomandimin e Komisionit Evropian.

“Të dy vendet i plotësojnë kushtet dhe tani ju ngelet vendeve anëtare të dalin me vlerësime politike”, deklaroi Hahn.

Ndryshe, ky do të jetë rekomandimi i parë për Shqipërinë dhe i dhjeti për Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/