Pak minuta përpara fillimit të takimit me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, eurokomisioneri Johanes Hahn ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social dy mesazhe të rëndësishme.
Hahn shkruan në Twitter se objektivi i shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jetë integrimi në Bashkimin Europian, më shumë sesa fokusimi tek ekonomia dhe krijimi i një zone të përbashkët mes shteteve të Ballkanit.
Hahn në mesazhin e tij shprehet se integrimi nuk është një alternativë për hyrjen në BE, por thjesht një element i dobishëm, ndërsa ndërtimi i një zone ekonomike të përbashkët mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, do të rriste automatikisht ekonomitë e vendeve si dhe do të ulte papunësinë, prioritete këto, që sipas eurokomisionerit janë kyçe dhe qëllimi i tryezës në Durrës.
“Integrimi nuk është një alternativë për hyrjen në BE të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, por një element komplementar i dobishëm.
Prioriteti kyç tani është ndërtimi i një zone ekonomike të përbashkët, për të fuqizuar rritjen (ekonomike) dhe punësimin e qytetarëve”, ka porositur Hahn.