Telegrafi

Hahn: Deputetët e OBRM-PDUKM-së që duan ta mbështesin marrëveshjen, janë të kërcënuar

Eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn, në një intervistë për gazetën austriake “Standard”, thotë se ka informacione se deputetët e opozitës maqedonase të cilët duan ta mbështesin marrëveshjen me Greqinë, janë të kërcënuar.

Ai nga OBRM-PDUKM kërkon të largohet nga siç thotë, destruktiviteti dhe interesat e qytetarëve dhe shtetit t’i vendos mbi ato partiake, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Partia do ta mbajë përgjegjësinë e plotë për mbylljen e dyerve të BE-së për Maqedoninë nëse nuk kalon marrëveshja. Kjo është e papranueshme për një parti e cila thotë se është pro-evropiane dhe demokratike”, tha Hahn.

Ai shtoi se integrimi evropian për OBRM-PDUKM-në deklarativisht është prioritet, por këtë duhet ta dëshmojnë me vepër duke mbështetur marrëveshjen me Greqinë.

Për eurokomesarin referendumi ka qenë vetëm konsultativ dhe shumica e qytetarëve u deklaruan “për”.

Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë rrezikun e mosarritjes së afateve për marrëveshjen për emrin. Hahn shton se edhe zgjedhjet nuk janë garanci se do të sigurohen dy të tretat e shumicës./Telegrafi/