Site icon Telegrafi

Hadzic: Ja pse e zgjodha Sigal Prishtinën

Ashtu siç paralajmëruam një ditë më herët trajneri boshnjak, Sabit Hadzic do të emërohet kryetrajner i Sigal Prishtinës, kjo ndodhi gjatë ditës së premte. Klubi ‘Bardhekaltër’ me anë të një njoftimi bëri të ditur se është arritur marrëveshja 1-vjeçare.

“Ashtu edhe siç ju paralajmëruam ditë më parë, KB Sigal Prishtina nënshkruan kontratë me trajnerin e mirënjohur boshnjak i cili e udhëhoqi ekipin kombëtar të Bosnjës në ‘Eurobasket 2011’, Sabit Hadzic. Hadzic ishte po ashtu pjesë e gjeneratës së artë të ish-Jugosllavisë ku si organizator mori medalje olimpike në vitin 1984”, thuhej në njoftimin e KB Prishtinës në ‘Facebook’. Hadzic ka korrur suksese edhe me ekipin e Sarajevës duke u shpallur kampionë disa herë me këtë skuadër.

Hadzic: Tifozët e mrekullueshëm

Lajmin për arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar edhe trajneri boshnjak për ‘Sport Plus’. “Po, kemi arritur marrëveshje dhe javën e ardhshme do të vijë në Prishtinë. Ajo që më ka shtyrë të vijë në Prishtinë është organizimi i mirë i klubit, një kryesi shumë të mirë dhe tifozët. Mendoj se mund të bëjmë punë të mirë së bashku. Sa i përket përforcimeve është ende herët për të folur”, ka thënë Sabit Hadzic për gazetën tonë.

Arrin para 1 shtatorit

Menaxheri i skuadrës, Edis Kuraja ka theksuar se trajneri boshnjak pritet të arrijë deri më 1 shtator. “Kemi arritur marrëveshje 1-vjeçare me të dhe për shkak të disa procedurave që duhet t’i kompletojmë ai pritet të arrijë deri më 1 shtator për t’iu bashkuar skuadrës në stërvitje. Gjithashtu jemi në bisedime me disa basketbollistë të huaj dhe presim që të arrijmë marrëveshje. Njëri ndër ta është edhe Noah Dahlman i Balkanit”, deklaroi Kuraja për ‘Sport Plus’.

Kthehet Kieza

Prishtina të premten gjithashtu bëri të ditur se është rikthyer në radhët e saj, lituanezi, Aurimas Kieza. “Ju njoftojmë se KB Sigal Prishtina ka arritur që ta vazhdon bashkëpunimin me Aurimas Kiezan edhe për këtë sezon, duke lënë mundësinë e bashkëpunimit edhe për sezonin e ardhshëm, atë 2015/2016. Kieza do t’i bashkohet Prishtinës në fillim të muajit shtator dhe rikthimi i tij në parket planifikohet të bëhet në pjesën e dytë të muajit tetor. Vlen të ceket se rikthimi i Kiezas u kërkua me ngulm edhe nga tifozët tanë, ‘Plisat’”, ishte njoftimi i Prishtinës në ‘Facebook’. /Telegrafi/ 

Exit mobile version