Telegrafi

Hadjanët, refugjatë të zhvillimit

Më 1999 komandosët serbë me maska, që mbulonin kokat e tyre dhe me fytyrën me ngjyrë, hynë në këtë fshat malor dhe ekzekutuan pesë shqiptarë të moshës 25 deri në 80 vjet.

Ushtarët i detyruan banorët e mbijetuar që të hipnin në autobusë në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pastaj ata ia vunë zjarrin secilës shtëpi në Hade, shkruan sot Koha Ditore.

Pasi që fushata e bombardimeve, e drejtuar nga amerikanët, largoi forcat serbe nga Kosova, banorët e Hades u kthyen nga kampet e refugjatëve dhe nga vendstrehimet e tyre lart në male. Gjatë viteve në vijim ata rindërtuan fshatin e tyre dhe vazhduan punët e tyre të përditshme të kujdesit për kopshtet dhe bagëtitë, si dhe nxjerrjen e thëngjillit për KEK-un, kompaninë elektroenergjetike shtetërore të Kosovës.

Por kthimi në shtëpi nuk u ka dalë në mënyrën në të cilën ata kanë shpresuar.

Hades sërish po i kanoset shkatërrimi. Këtë herë, si thonë fshatarët dhe njerëzit që po i përkrahin ata, kërcënimi po vjen nga vetë Qeveria e shtetit të tyre dhe Banka Botërore, huadhënësja globale, që është përkushtuar për promovimin e “mirëqenies së përbashkët”.

Qeveria e Kosovës, me paratë dhe ndihmën teknike nga Banka Botërore planifikon që ta pastrojë dhe ta shkatërrojë fshatin.

Burimet e thëngjillit shtrihen nën kodrat e Hades, duke e bërë këtë vend cak të KEK-ut, i cili ka shtrirë operacionet e veta të mihjes dhe derisa zyrtarët e Kosovës dhe ekspertët e Bankës Botërore kanë bërë plane për një termocentral mbi bazën e thëngjillit në afërsi. /Telegrafi/