Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Florent Hadërgjonaj, që u transferua në janar te Kasimpasa, ka folur për futbollin që pritet të rikthehet në ditët në vijim edhe në Turqi.
Hadërgjonaj që ka bërë karrierë te Young Boys në Zvicër, pastaj edhe te Ingolstadt dhe Huddersfield në Angli, flet për futbollin turk dhe vështirësit për tu adaptuar.
“Kur mbërrita këtu, në Turqi, nuk ka qenë gjithçka e lehtë, siç mund të tregojnë shifrat. Është dashur shumë sakrificë, stërvitje. Sigurisht që edhe fati ka pjesën e vet, sepse duhet të tregosh vlerat në kohën dhe vendin e duhur. Kam bërë hapat e mi në karrierë, tani jam në Turqi, por ky Koronavirusi na la pa ndeshje”.
Hadërgjonaj flet edhe për një projekt serioz të Kasimpasas, klub që, pavarësisht vështirësive të momentit, ka ambicie të mëdha.
“Ekipi ka cilësi, kemi luajtur me lojtarë si Quaresma që kanë shumë kualitet. Ambiciet janë për shumë më lart. Synimi është që sezonin tjetër të jemi në gjashtë apo shtatë vendet e para”.
Megjithatë, 25-vjeçari është ende nën kontratë me Huddersfieldin dhe nuk e përjashton një rikthim në futbollin e Mbretëreshës, pas huazimit në Turqi.
“Kur u largova nga Huddersfieldi, si i thonë, kam ikur nga dera e madhe. Nuk kemi biseda të këqija, unë kam dashur të provoj diçka të re. Ata janë ende në kontakt me mua, pra komunikojmë shpesh nëpërmjet telefonit. Të shohim tani se çfarë do të ndodhë”.
“Nuk ka shumë kohë, duhen parë edhe rregullat e transferimit dhe çfarë dëshirojnë dy klubet, Huddersfieldi dhe Kasimpasa. Gjithçka është e hapur, kryesorja është t’i kthehemi ndeshjeve”, ka thënë ai për Supersport.