Erling Haaland ka qenë dëshira kryesore e Pep Guardiolës dhe Manchester City i plotësoi atë trajnerit katalunas duke e transferuar norvegjezin gjatë verës.
Sulmuesi norvegjez është duke shkëlqyer me fanellën e Cityt, ku në tetë ndeshjet e para në të gjitha garat ka shënuar 12 gola dhe ka dhuruar një asistim.
Aventura e re për Haaland është fantastike, derisa ai ka folur për formën e tij, duke thënë se është pak i befasuar me këtë start.
“Pak po, por nuk jam i shokuar sepse i njoh aftësitë e mia dhe të skuadrës me të cilën luaj. Kam shokë të shkëlqyer dhe luaj në një klub shumë të mirë. Adhuroj të luaj në Etihad Stadium, deri tani jemi argëtuar”, tha Haaland.
Tutje norvegjezi ka folur edhe për raportin që ka me trajnerin Pep Guardiola, duke thënë se i pëlqen për faktin se spanjolli është një maniak si vet ai.
“Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë sepse ai është një maniak i futbollit, ashtu si edhe unë. Të dy e duam shumë futbollin, ai është i çmendur dhe mua më pëlqen”.
“Mendon gjithnjë se sit ë përmirësoj futbollistët, është pak i komplikuar dhe është e vështirë të adaptohesh me lojën e tij. Megjithatë, jam munduar të mësohem sa më shpejt sepse nuk mund të humbas kohë”, u shpreh Haaland. /Telegrafi/