Në ceremoninë e organizuar në Innovation Centre Kosovo, të dielën, kur pothuajse e gjithë Kosova ishte nën ethet e rezultateve nga zgjedhjet lokale, juria e Startup Weekend Prishtina zgjodhi fituesit e edicionit 2017, pas prezantimeve të katërmbëdhjetë ekipeve garuese. GX Data do të përfaqësojë Kosovën në garë globale.
Prishtinë, 20 Nëntor 2017. Juria profesionale e përbërë nga Uranik Begu (ICK), Leonora Kusari (EBRD), Ilir Rexha (GIZ), Agon Gashi (Meridian Express), Arben Avdiu (Trosha) dhe Florian Papailia (Raiffeisen Albania), pas prezantimeve të katërmbëdhjetë ekipeve garuese në Startup Weekend Prishtina, zgjodhën fituesit e tri vendeve të para në rënditjen si vijon: Vendi i tretë (One-Day Job, Nutri & Hero), vendi i dytë (Sensis), ndërsa GX Data u shpallën fitues të vendit të parë.
GX Data, ekip i përbërë nga gjashtë anëtarë (Elban Avdylaj, Ardit Avdylaj, Petrit Avdylaj, Dibran Xhymshiti, Dardan Xhymshiti dhe Taulant Imeri), me projektin e tyre “gxRecs” do të përfaqësojnë Kosovë në betejën europiane dhe potencialisht edhe në Global Startup Weekend.
Platforma “gxRecs” është mjet për personalizim dhe rekomandim të produkteve dhe shërbimeve. Nëpërmjet Intelegjencës Artificiale, gxRecs meson shijen dhe përvojën e konsumatorëve, dhe ofron përmbajtjen apo produktin më të përhtatshëm për konsum.
Të gjitha ekipet fituese të garës do të përfitojnë shërbime të inkubimit deri në dy vite në ICK, hapësira moderne pune, trajnime, konsulencë dhe mentorim pa pagesë, qasje në grante, pjesëmarrje në evente lokale e globale dhe lidhje me investotorë. Ndër çmimet tjera për fituesit janë: 5 bursa studimi në Cacttus Education (në vlerë 25,000 Euro) dhe pako të telefonisë mobile IPKO Hej! Professional për gjashtë muaj, për pjestarët e ekipit fitues. Ekipet e përzgjedhura do të përfitojnë konsulencë profesionale edhe nga Banaka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
ICK falenderon të gjithë pjesëmarrësit dhe ekipet për punën e palodhshme dhe energjinë pozitive gjatë gjithë vikendit. Një falenderim i veqant shkon për mentorët: Jeta Zagragja, Agon Avdimetaj, Jehona Lluka, Klajdi Turlla, Ardian Jashari, Ejona Varangu, Igor Madzov, Leart Zogjani, Labinot Bajrami, Ivana Stankovic dhe Dren Imeraj.
Startup Weekend Prishtina ishte aktiviteti përmbyllës i Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila u shënua prej 13-19 Nëntor, nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Ambasadorit Amerikan, Greg Delawie.
Startup Weekend Prishtina u mundësua falë ndihmës së donatorëve dhe partnerëve: Ambasadës së Suedisë, GIZ, Ambasadës së Norvegjisë, Coca-Cola HBC Kosova, Meridian Express & Buka, CID Tirana, IPKO Hej!, Cacttus Education, Telegrafi.com dhe GazetaExpress.com
/Telegrafi/