Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike, zyra në Komisionin Qendrore të Zgjedhjeve (KQZ), ka shqiptuar gjobë për subjektin politik “GUXO”.
Në vendimin e nxjerrë më 12 korrik thuhet se subjektit politik “GUXO” i shqiptohet gjoba në vlerë katër mijë euro për shkeljen sipas nënparagrafit 4, paragrafi 6 i nenit 21 të LFSP.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se subjekteve politike të regjistruara u kërkohet që të kenë një adresë të selisë, të cilën e deklarojnë përmes Azhurnimeve vjetore, ku kërkohet adresa e selisë së partisë, shkruan Telegrafi.
“Në përputhje me nenin 15 të LFSP ku theksohet qartë, se raporti vjetor financiar i subjektit politik të regjistruar duhet të përmbajë të dhënat për të gjitha shpenzimet si dhe regjistrin e të gjitha kontributeve për subjektin e regjistruar politik.
Subjekti politik edhe pse ka raportuar që nuk ka pas asnjë shpenzim e as të hyrë, gjatë vitit 2023, nga verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar në Zyrë, konstatohet se subjekti politik ka shfrytëzuar një lokal si zyrë për selinë qendrore gjatë vitit 2023, por të njëjtin nuk e ka pasqyruar si të hyrë nga kontributi natyrë, në mallra dhe shërbime , por as si shpenzim nga qiraja”, thuhet në arsyetim.
Subjekti politik “GUXO”, obligohet që pagesën ta kryejë brenda 30 ditëve pas pranimit të vendimit për shqiptimin e gjobës përmes komunikimit zyrtar elektronik. Pagesa e gjobës duhet të dëshmohet përmes dorëzimit të kopjes së fletëpagesës në Zyrë. /Telegrafi/