Site icon Telegrafi

“Me guxim drejt triumfit” – publikohet dokumentari mbi karrierën e boksierit të gjeneratës së artë, Beqir Berisha

Është publikuar tashmë dokumentari “Me guxim drejt triumfit”, i cili flet për jetën dhe karrierën e boksierit të gjeneratës së artë, Beqir Berisha.

Gjenerata e artë e klubit të boksit Prishtina njihet si krenari e gjithë Kosovës shkaku i rezultateve të mëdha në kohën e ish-Jugosllavisë.

Njëri nga boksierët më të mirë të kësaj kohe padyshim se ishte edhe Beqir Berisha, i lindur dhe rritur në Prishtinë.

Berisha, i cili njihej nga të gjithë për punën e pashoq në stërvitje, por edhe luftërat e tij që i përfundonte me nokaut, tashmë ka një dokumentar që pasqyron jetën dhe karrierën e tij.

“Me guxim drejt triumfit” titullohet dokumentari që tregon gjithçka rreth “Beqës”, nga fillimet e vështira deri tek medaljet e shumta.

Në dokumentar flasin edhe legjenda tjera dhe shok të tij të kohës si Mehmet Bogujevci, Nazif Gashi, Aziz Salihu dhe ish-kryetari i klubit të boksit Prishtina, Shkëlzen Riza.

Ndryshe, “Beqa” tashmë është 69-vjeçar, baba i dy djemve dhe një vajze, dhe gjysh i shtatë nipërve dhe mbesave. /Telegrafi/

Exit mobile version